Trump mbështet Izraelin “100 për qind” në sulmet ajrore në Gaza

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka mbështetur Izraelin në lidhje me sulmet e fundit ajrore në Rripin e Gazës së bllokuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Përsëri, Izraeli përballet me një breshëri sulmesh vdekjeprurëse me raketa nga grupet terroriste Hamas dhe Xhihadi Islamik. Ne mbështesim 100 për qind Izraelin në mbrojtjen e qytetarëve të saj”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Twitter.

“Për popullin e Gazës, këto veprime terroriste kundër Izraelit nuk do t’ju sjellin asgjë tjetër veçse më shumë mjerim. Përfundojeni dhunën dhe punoni drejt paqes, kjo mund të ndodhë!”, shtoi Trump.

Që nga e shtuna, 24 palestinezë, duke përfshirë dy gra shtatzëna dhe dy të mitur, ranë dëshmorë dhe mbi 100 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore izraelite.

Përshkallëzimi i situatës në Rripin e Gazës nisi të premten kur katër palestinezë ranë dëshmorë, përfshirë një të ri, dhe 51 të tjerë u plagosën në sulmet e ushtrisë izraelite ndaj vendeve të lidhura me Hamasin dhe nga një sulm në një tubim të organizuar kundër pushtimit të Rripit të Gazës.

Sulmeve izraelite iu kundërpërgjigjën fraksionet e rezistencës palestineze, duke lëshuar, sipas Izraelit, 600 raketa drejt vendbanimeve izraelite dhe duke lënë të vdekur katër persona.

Sulmet ajrore po ashtu goditën ndërtesën ku ndodheshin edhe zyrat e Anadolu Agency (AA), duke shkaktuar reagimin e organizatave ndërkombëtare të medias të cilat dënuan këtë veprim./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne