Opinion

Trump po e çon botën më afër ditës së fundit

nga Marjorie Cohn.

Në vitin 1987, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik miratuan traktatin bërthamor të raketave me fuqi të mesme (INF) në një përpjekje për të eleminuar raketat bërthamore në një kohë alarmuese për luftë bërthamore. Kjo ishte hera e parë që të dy vendet binin dakord për të shkatërruar armët bërthamore. Ky traktat ka nxjerrë jashtë ligjit gati 2.700 raketa balistike ose raketa tokësore kruizer që kapin distancat nga 300 deri 3.000 milje.

Administrata Trump nuk e mendoi gjatë tërheqjen nga INF-ja. Më 2 shkurt, Shtetet e Bashkuara pezulluan detyrimet e ndaj traktatit, duke nisur në këtë mënyrë një reaksion zinxhir të rrezikshëm që na afron me luftën bërthamore. Rusia e ndoqi procesin dhe të nesërmen u tërhoq nga traktati.

Pastaj, tre vendet me arsenalet më të mëdha bërthamore, testuan me të shpejtë disa raketa bërthamore. Franca në 4 shkurt kreu një provë raketore tokë-ajër me një raketë me rreze të mesme. Të nesërmen, Shtetet e Bashkuara gjuajtën një raketë balistike ndër-kontinentale Minuteman III (ICBM). Dhe një orë e gjysmë më vonë, Rusia lançoi një raketë RS-24 Yars ICBM.

Richard Burt mori pjesë në negociatat për INF-në gjatë administratës Reagan. Vjeshtën e kaluar, ai parashikoi se tërheqja e SHBA-së do të çonte Rusinë që të dislokonte raketa të mesme dhe SHBA-në që të zhvillonte sisteme të reja të armëve me bazë ujore dhe ajrore. Në 4 shkurt ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, njoftoi se vendi i tij kishte në plan të ndërtonte raketa bërthamore të mesme brenda dy vitesh.

“Raketat e reja kruizer të mesme, raketat balistike dhe kokat bërthamore me distancë të ulët shpërthimi të planifikuara për tu prodhuar si nga Rusia ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara, nuk janë gjë tjetër veçse pregatitje për të përshpejtuar procesin e një lufte termonukleare”, tha për Truthout Daniel Ellsberg, autor i ‘Makineria e ditës së fundit: Rrëfimet e një planifikuesi për luftën bërthamore(The Doomsday Machine: Confessions of a Nuclear War Planner).

Ai paralajmëron për një “dimër bërthamor”, që do të jetë fundi i civilizimit që njohim sot. Ellsberg, konsulent i Departamentit të Mbrojtjes dhe i Shtëpisë së Bardhë në vitin 1961, hartoi planet e Sekretarit të Mbrojtjes Robert McNamara për luftën bërthamore.

Beatrice Fihn, drejtorshë ekzekutive e Fushatës Ndërkombëtare për Eliminimin e Armëve Bërthamore, është në një mendje. “Trump ka shkrehur pistoletën e fillimit të Luftës së Ftohtë II. Por kjo mund të jetë më e madhe, më e rrezikshme, dhe bota nuk do të mund të jetë aq me fat këtë herë”.

Veprimet e Trumpit minojnë çarmatimin bërthamor

Miratimi i INF-së në vitin 1991 çoi në nënshkrimin e Traktatit të Reduktimit të Armëve Strategjike (START), i cili reduktoi ndjeshëm numrin e armëve bërthamore strategjike me rreze të gjatë. Marrëveshja e re START e nënshkruar në vitin 2010, kërkon që SHBA dhe Rusia të ulin numrin e kokave bërthamore të dislokuara nga një sasi maksimumi prej 2,200 në vitin 2010, në 1,550 në vitin 2018. Tërheqja e kavalierit Trump nga INF-ja nuk është një sinjalizim i mirë për rinovimin START-it në vitin 2021.

Për më tepër, rishqyrtimi i Trumpit i vitit 2018 për qëndrimin mbi armët bërthamore do t’i lejonte Shtetet e Bashkuara që të përdorin armë bërthamore në përgjigje të sulmeve me armë jo-bërthamore. Kjo politikë e re amerikane hap derën për një përdorim të ri të armëve bërthamore, e cila është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar.

Rishikimi i Trumpit për qëndrimin mbi armët bërthamore shkel gjithashtu edhe traktatin për mos shtimin e armëve bërthamore, në të cilin Shtetet e Bashkuara janë pjesë. Ky traktat kërkon që vendet “të zbatojnë negociata mirëbesimi për ndërprerjen e garës së armatimit bërthamor”.

Ora e ditës së fundit thotë “dy minuta para mesnate”

Për ti përcjellë njerëzimit situatën kërcënuese për botën, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë krijoi “Orën e Ditës së Fundit”. Me mesnatën, ora simbolizon imazhin e ardhjes së një apokalipsi dhe të një shpërthimi bërthamor që fillon nga numërimi zero. Vendimi për të lëvizur ose për ta lënë në vend akrepin e minutave të Orës së Ditës së Fundit bëhet çdo vit. Ora tashmë është një tregues i njohur që tregon cenueshmërinë që vjen nga katastrofat e shkaktuara nga armët bërthamore, ndryshimet klimatike apo teknologjitë e tjera në zhvillim e sipër që mund të paraqesin kërcënim. Në 24 janar, Buletini e mbajti edhe një herë akrepin e Orës së Ditës së Fundit dy minuta para mesnatës. Dhe kjo ndodhi para se SHBA-ja dhe Rusia të dilnin nga INF-ja.

“Trump dhe Putin po hiqen sikur janë qitësa të mirë në një film me kaubojsa”, paralajmëroi Ellsberg. “Por cështja është se armët e tyre që i nxjerrin me të shpejtë nuk janë pistoletat; ato janë makineritë e Ditës së Fundit. Tani nuk është mbrëmje, do edhe dy minuta që të futet mesnata”.

Drejt çarmatosjes bërthamore

Në librin e tij, Ellsberg propozon që qeveria amerikane të ndërmarrë masat e mëposhtme drejt një arritjeje për eleminimin e armëve bërthamore:

1.Një politikë për një mospërdorim të parë të forcës nga ana amerikane;
2.Vëzhgime investigative ndaj planeve të luftës për të shmangur dimrin bërthamor;
3.Eliminim raketave balistike ndërkontinentale (ICBMs);
4.Dhënien fund pretendimeve për një kufizim të dëmeve nga forcat që sulmojnë të parat;
5.Të mos prtendosh përfitime, vende të punës dhe dominimin e aleancës që bazohet tek mbarëvajtja e pretendimeve;
6.Cmontim arsenalit bërthamor amerikan, të cilin Ellsberg e quan “makineria amerikane e ditës së fundit”.

Më 30 janar, Senatorja Elizabeth Warren (D-Massachusetts), anëtare e Senatit në Komisionin për Shërbimet e Armatosura dhe republikani Adam Smith (D-Uashington), kryetar i Komisionit për Shërbimet e Armatosura në vend, ndërmorën një hap të mirë. Ata prezantuan “aktin për mospërdorimin i pari” në mënyrë që ta kthenin në ligj. Një ligj që do tregonte se politika e Shteteve të Bashkuara të ishte mospërdorimi i pari i armëve bërthamore në mënyrë që Shtetet e Bashkuara asnjëherë të mos inicionin një luftë bërthamore.

Traktati i OKB-së për ndalimin e armëve bërthamore (TPNW) i ndalon vendet që e kanë ratifikuar që “asnjëherë të mos zhvillojnë, testojnë, prodhojnë, ose të kërkojnë, mbajnë ose të magazinojë armë bërthamore ose pajisje të tjera shpërthyese bërthamore.” Ai gjithashtu ndalon transferimin e tyre, përdorimin e tyre ose kërcënimet për përdorim e armëve bërthamore ose përdorimin e pajisjeve shpërthyese bërthamore. Traktati i miratuar në vitin 2017, do të hyjë në fuqi pasi 50 shtete ta kenë ratifikuar atë. Deri tani ai ka marrë 21 ratifikime. Por pesë vendet kryesore me armë bërthamore të cilët janë gjithashtu edhe anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB- së, SHBA-ja, Rusia, Franca, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar, nuk morën pjesë në negociatat e traktatit dhe nuk kanë rënë dakord me të.

Rezistenca ndaj armëve bërthamore gjithashtu merr edhe formën e mosbindjes civile, siç ishte veprimi i kohëve të fundit në bazën ushtarake the Kings Bay.

Baza ushtarake amerikane the Kings Bay

Kur isha duke u rritur në ditët e hershme të Luftës së Ftohtë, frika e një asgjesimi bërthamor ishte shumë e përhapur. Megjithëse armët bërthamore amerikane kanë qenë në gjendje gatishmërie për 73 vjet, “armët bërthamore janë bërë normale”, tha Patrick O’Neill për Truthout. Ai dhe gjashtë aktivistë të tjerë katolikë po përballen me gati 25 vjet burg për veprimin e tyre simbolik për të çmontuar armët bërthamore në bazën detare Kings Bay në Xhorxhia. Për të zhvilluar protestën e tyre ata zgjodhën 4 prillin 2018, kur ishte 50 vjetori i vrasjes së Dr. Martin Luther Kingut.

Në maj të vitit 2018, protestuesit u akuzuan për shkelje, komplot, shkatërrim të pronës së një stacioni detar, shkatërrim të pronës së qeverisë, që vinin si rrjedhojë e veprimeve të tyre në bazën detare Kings Bay. Baza është porti i gjashtë nëndetëseve bërthamore, ku secila nëndetëse ka 16 raketa balistike Trident II. Ata me vete mbanin një kopje të librit të Ellsbergut të cilin e lanë në bazë.

Të pandehurit, të cilët ndoshta këtë pranverë do të dalin në gjyq, kanë qëndrimin se çdo përdorim ose kërcënim me përdorimin e armëve bërthamore të shkatërrimit në masë është i paligjshëm, tha për Truthout përfaqësuesi i tyre Bill Ofenloch. Ata argumentojnë gjithashtu se ndjekja penale ndaj tyre shkel aktin ligjor për Rivendosjen e Lirisë Fetare, pasi veprimet e tyre kishin qënë të motivuara nga besimi i tyre katolik që armët bërthamore konsiderohen imorale dhe ilegale. Ligji u miratua në vitin 1993 për të forcuar mbrojtjen e ushtrimit të lirë të fesë. Së fundmi, shtatë të akuzuarit e bazës Kings Bay pretendojnë se kërcënimet e përsëritura të Trumpit për përdorimin e armëve bërthamore dhe sjelljen e tij të paligjshme nuk janë ndjekur penalisht, kështu që vendimi i qeverisë për të ndjekur penalisht vetëm ata që protestojnë kundër armëve bërthamore, përbën një ndjekje të paligjshme përzgjedhëse.

E burgosura Martha Hennessy është mbesa e bashkë-themelueses së Lëvizjes Katolike të Punëtorëve Dorothy Day. Lëvizja e themeluar në vitin 1933, përfshin 203 komunitete punëtorësh katolikë që janë të përkushtuar kundër dhunës, varfërisë, ndihmave për të pastrehët, azilantëve, të uriturve dhe të braktisurve. Punëtorët katolikë protestojnë kundër luftës, racizmit, dhunës dhe padrejtësisë. (Gazeta e Punëtorëve Katolikë është ende në qarkullim dhe e shet një cent kopjen.)

Hennessy tha për Truthout: “Tërheqja e SHBA-së nga traktati INF është projektuar për të futur Rusinë dhe botën në një garë të re armatimi bërthamor”.

Ajo paralajmëron se: “Kjo është një perandori e cmendur. Ne e kemi humbur demokracinë tonë prandaj le të lutemi që të mos e humbim botën dhe njëri-tjetrin”.

Ne të gjithëve na bie si detyrë që t’i rezistojmë marshimit të paepur drejt dimrit bërthamor. Ne duhet të bashkohemi së bashku në koalicione dhe të protestojmë kundër Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë me shkrime dhe në rrugë. Nuk ka kohë për të humbur. Duhen edhe dy minuta që të vijë mesnata e Orës së Fundit./globalresearch/Gazeta Impakt

Marjorie Cohn është profesore në universitetin Thomas Jefferson School of Law. Ka qene ish-presidente e Shoqërise së Avokatëve Kombëtarë, zëvendës sekretare e përgjithshme e Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve Demokratik dhe anëtare e Bordit Këshillimor të Veteranëve për Paqen. Libri i saj më i fundit është “Dronë dhe vrasje të shënjestruara: Çështjet ligjore, morale dhe gjeopolitike”.

burimi: globalresearch/Gazeta Impakt

OPINIONE