Trump terhiqet nga marreveshja me Iranin: lufte e re afrohet ne Lindjen e Mesme

Presidenti amerikan Donald Trump i dha një goditje të fuqishme marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, kur këtë të premte, në një sfidim të plotë të fuqive të tjera botërore, zgjodhi të mos certifikonte që Teherani ishte duke iu përmbajtur marrëveshjes, duke paralajmëruar madje se mund edhe t’i japë fund asaj.

Trump bëri një kthesë të madhe të politikës amerikane, në një fjalim gjatë të cilit ai detajoi një sjellje më agresive kundrejt Iranit për shkak të programeve të tij bërthamore e raketore, si dhe për mbështetjen e grupeve ekstremiste në Lindjen e Mesme.

Ai e akuzoi Iranin se “nuk i qëndronte parimeve kryesore” të marrëveshjes bërthamore, e tha se synimi i tij ishte të sigurohej se Teherani nuk do të ketë kurrë mundësi të pajiset me armë bërthamore.

“Ne nuk do të vazhdojmë të ndjekim një rrugë, përfundimi i parashikueshëm i së cilës është më shumë terror dhe kërcënime reale për kthimin e Iranit në një fuqi bërthamore”, tha Trump.

Fjalimi i linjës së ashpër nga Trump mori lavde nga Izraeli, armik i përjetshëm i Iranit, por u kritikua nga aleatët europianë.

Lëvizja e Trumpit është pjesë e qasjes së tij “Amerika e para” ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare, gjë që e ka çuar atë në tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga akordi i Parisit për klimën, si dhe nga bisedimet tregtare për Partneritetin Trans-Paqësor.

Strategjia e tij mbi Iranin irritoi Teheranin dhe e vendosi Uashingtonin në pozicion të kundërt me firmëtarët e akordit, si Britania, Franca, Gjermania, Rusia, Kina dhe Bashkimi Europian, disa prej të cilave madje kanë përfituar ekonomikisht nga rivendosja e marrëdhënieve tregtare me Iranin.

Duke iu përgjigjur Trumpit, presidenti iranian Hassan Rouhani tha në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv se, Teherani ka qenë i angazhuar ndaj marrëveshjes dhe akuzoi Trumpin se po bënte akuza të pabaza.

Aleatët europianë paralajmëruan për një diferencim me SHBA-të në lidhje me paktin bërthamor, teksa thanë se vënia e tij në diskutim, siç bëri Trump, minon besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara përtej oqeanit, veçanërisht pasi inspektorët ndërkombëtarë kanë thënë se Irani ka përmbushur të gjitha detyrimet sipas marrëveshjes.

Demokratët në SHBA janë shprehur skeptikë mbi vendimin e Trump. E megjithëse shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja, duke parandaluar kështu Iranin që të zhvillojë një bombë bërthamore, ai i jep Kongresit amerikan 60 ditë kohë për të vendosur nëse do të rivendosë sanksionet ekonomike ndaj Teheranit, të cilat u lehtësuan pas nënshkrimit të tij.

Nëse Kongresi i rivendos sanksionet, atëherë Shtetet e Bashkuara efektivisht do të kenë shkelur kushtet e marrëveshjes, e kësisoj do të dilnin jashtë saj. Por nëse ligjvënësit nuk do të bëjnë gjë, atëherë marrëveshja mbetet në fuqi. / Top Channel

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne