Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump,ka lëvduar të enjten lëshimin e një bombe të madhe në bastionet e ISIS-it në Afganistan, duke thënë se ushtria amerikane ka realizuar “një mision shumë, shumë të suksesshëm”.
“Unë jam shumë, shumë krenar me ushtrinë tonë”, ka thënë Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne jemi shumë krenarë me ushtrinë tonë dhe ky ishte një tjetër operacion i suksesshëm”, është shprehur presidenti amerikan, përcjell Gazeta Express.
I pyetur nëse ai ka autorizuar personalisht lëshimin e bombës – e cila ishte bomba më e madhe jobërthamore e lëshuar në fushëbetejë nga SHBA-ja, dhe e cila është cilësuar si “nëna e të gjitha bombave” – Trump ka thënë: “Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur. Unë jam ai që e autorizon ushtrinë”.
“Ne i kemi dhënë atyre autorizim të plotë. Prandaj ata kanë qenë kaq të suksesshëm së fundmi”, ka thënë i pari i Amerikës.