Trustet dhe oligopolet kanë marrë “peng” qeveritë dhe politikën*

Shkruan: Nik Neçaj

Shoqeria njerëzore ka kaluar disa faza deri sa ka ardhë në ditët e sotme. Kalimet nga një fazë në tjetrën janë bërë edhe të dhunshme, edhe paqësore. Qëllimi ka qënë përmirësimi i mënyrës së të jetuarit. Në të gjitha kohërat, por në veçanti në 3 shekujt e fundit, shumë mendimtarë, mes tyre shumë ekonomistë kanë paraqitur në studimet e tyre “çelësin” për një zhvillim ekonomik e mirëqënje të volitshme.

Pikërisht në këtë fushë ndahen ideologjitë politike në të majta e të djathta. Ekonomisti Adam Smith në kohën e tij propagandonte me forcë lirinë e pafund ekonomike, pra një ekonomi totalisht të liberalizuar. Sipas kësaj filozofie prodhuesit dhe tregtarët duhet të punonin vetëm për vete. Teoria “gjithçka për vehte e asgjë për të tjerët“ ishte një skllavëri e vërtetë. Kjo çoi në këmbë puntorët e asaj kohe, të cilët të organizuar në sindikata me protesta titanike fituan shumë të drejta.

A simpatizohet Adam Smithi nga kapitalistët dhe politikanët e sotëm? Ai që thotë “ Jo “ nuk tregon realitetin. Zbatimin e ideve të tij e shofim ditë për ditë. Liberalizimi pa kufi i ekonomisë dhe keqfunksionimi i administrative shteterore duke spekulluar me lirine, po çon në vendosjen e autoritarizmit politik. Pa përjashtim në të gjitha vendet kapitaliste, politika ndikohet nga korporatat shumëkombëshe. Ato me sponsorizime fushatash, me influencë të vazhdueshme mbi punëtorët ndikojnë në zgjedhjet e parlamenteve e të Presidentëve. Shoqëritë shumëkombëshe kanë ndikuar e ndikojnë në politikat e qeverive. Baza e këtij ndikimi është fitimi duke shfrytëzuar lëndën e parë të vendeve të varfëra. Në këtë kuptim politika nuk është veçse zgjatim i hijeve të biznesit në drejtimin apo sundimin e popujve. Karakteristikë e dekadave të fundit është shuarja ose blerja e sindikatave nga qeveritë dhe oligopolet. Shumëkombëshet dhe trustet po përcaktojnë qeveritë. Ato po ndikojnë ose më mirë po diktojnë mbi to. Ato po blejnë ligjet, po ushtrojnë presion mbi qeveritë për favore financiare dhe po ja arrijnë kësaj. Shëmbujt janë të shumtë dhe të gjithkund-ndodhur në kohën e krizës. Qeveritë u detyruan të financonin kompanitë e mëdha për të mos falimentuar me qindra milliardë dollarë në SHBA, Francë, Spanjë, Greqi etj. Rendimenti në punë, në sajë të përmirësimit teknologjik, është rritur mbi 3 herë në gjysëmshekullin e fundit, kurse paga e puntorëve është rritur vetëm me 30 deri 40 %, kur monedha është çvlerësuar mbi 40 %. Shumëkombëshet dhe trustet, për hir të fitimit të tyre janë të gatëshme të fusin vendet në luftëra të përgjakëshme. Udhëheqësit e dizekuilibruar të lidhur me këto biznese mund të bëjnë hatanë mbi njerëzimin. Rreziqet janë prezente. Me gjasa këto shumëkombëshe po nxisin konfliktet etnike, rajonale e fetare. Në 17 vjetët e fundit në këto konflikte rajonale janë vrarë rreth dy milion njerëz, disa milion jane bere refugjatë në vendet jashtë zonave të konflikteve. Në këto luftëra janë harxhuar mbi 2 mijë miliardë dollarë; në një kohë kur për këtë periudhë në rang global vetëm nga sëmundjet e pashërueshme kanë vdekë 30 herë më shumë njerëz se nga lufta, dhe për punën shkencore për këto sëmundje janë harxhuar 6000 herë më pak fonde se sa për luftën. Kjo është çmenduria e shumëkombësheve dhe e politikave të diktuara qeverive nga ana e tyre. Krahasuar me 3 dekada më parë kontributi për humanizëm nga këto shumëkombëshe dhe nga biznesi në përgjithësi është ulur nga 4 % e prodhimit në 1,9 %. Këtu shihet principi “gjitha për vete “.
Mendesia e uljes së taksave për biznesin, me qëllim që ai të shtojë punësimin e të rrisë investimet është përgjithësisht një lojë e qeverive në shërbim të biznesit. Eksperienca në 20 vitet e fundit tregoi se kjo është teori e dështuar. Ndikimi i biznesit mbi qeverisjet nuk eshte liri, por nënshtrim i qeverive ndaj interesave te fitimit te monopoleve e oligopoleve. Bizneset në vendet e prapambetura me qeveri jo sociale, janë lehtësisht të infektueshme nga filozofia Smith-iane: “ Për vehte të gjitha,për të tjerët asgjë “.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne