Tunizia përgënjeshtron pretendimet për normalizim të marrëdhënieve me Izraelin

Qeveria e Tunizisë përgënjeshtroi pretendimet për normalizim të marrëdhënieve me Izraelin dhe përsëriti mbështetjen e saj për popullin palestinez.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Tunizisë thuhet se “Për sa kohë që Izraeli shkel rezolutat ndërkombëtare dhe parimet ligjore, Tunizia nuk interesohet me çështjen për të vendosur marrëdhënie diplomatike me qeverinë e Tel Avivit”.

“Pretendimet për këtë çështje nuk janë të vërteta dhe bien në kundërshtim me qëndrimin parimor të Tunizisë e cila mbështet kauzën e drejtë të Palestinës”, thuhet në deklaratë në të cilën vihet theksi se nuk do të jenë pjesë e asnjë përpjekjeje që do të dëmtojë të drejtat legjitime të popullit palestinez.

Më tej theksohet qëndrimi stabil dhe i pandryshueshëm i presidentit tunizian Kais Saied se “Nuk do të skadojnë dhe nuk do të transferohen të drejtat e palestinezëve, në veçanti formimi i një shteti të pavarur palestinez dhe e drejta e vetëvendosjes”.

“Tunizia beson se nuk mund të arrihet paqja e përhershme dhe e drejtë në rajon pa zbatimin e vendimeve ndërkombëtare lidhur me të drejtat e popullit të Palestinës”, thuhet në deklaratë.

Mbreti Mohammed 6-të i Marokut më 10 dhjetor njoftoi “se së shpejti”do të vendosen marrëdhëniet me Izraelin. Në të njëjtën ditë Trump në një deklaratë tha se Maroku dhe Izraeli kanë arritur dakordësim për vendosjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike dhe se kanë nënshkruar një deklaratë që njohin qeverisjen e Marokut në Saharanë Perëndimore.

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreini me një ceremoni të zhvilluar më 15 shtator në Shtëpinë e Bardhë nënshkruan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Këto dy vende janë vendet e treta dhe të katërta arabe që arrijnë marrëveshje normalizimi me Izraelin pas Egjiptit në 1979 dhe Jordanisë në 1994. Ndërsa më pas në këtë u përfshinë Sudani dhe Maroku./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne