“Turkofobi” Haradinaj kërkon rritjen e shkëmbimit tregtar Kosovë-Turqi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti dje në takim përfaqësuesit e kompanive turke në Kosovë, Ahmet Çalik, drejtor ekzekutiv dhe themelues i grupit Çalik Holding, Nihat Ozdemir, themelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Limak, Haldun Kokturk, anëtar i Bordit të Drejtorëve dhe Kryeshef Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” si dhe përfaqësuesit e KEDS-it (Shërbimeve të Shpërndarjës së Energjisë Elektrike në Kosovë), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se gjatë këtij takimi kryeministri Haradinaj ka njoftuar përfaqësuesit e këtyre kompanive për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për hapjen e mundësive për investitorë potencialë, përmes lehtësimeve tatimore dhe krijimit të klimës për investimet e huaja direkte.

Haradinaj po ashtu ka vlerësuar punën dhe të arriturat e këtyre kompanive turke, duke shprehur mirëpritjet edhe për investitorë të tjerë që do ndikonin në rritjen ekonomike si dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në mes të Kosovës dhe Turqisë.

Pasi e përgëzuan kryeministrin Haradinaj për marrjen e detyrës së të parit të Qeverisë dhe për ndërtimin e institucioneve të reja të vendit, përfaqësuesit e këtyre kompanive e njoftuan kryeministrin për projektet e tyre në të ardhmen.

Nihat Ozdemir dhe Ahmet Calik, duke e vlerësuar rolin dhe gatishmërinë e kryeministrit Haradinaj në fuqizimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, i premtuan kryeministrin se do të zgjerojnë edhe më tutje zhvillimin e biznesit, duke sjellë investitorë tjerë turq dhe ndërkombëtar.

Haldun Kokturk, anëtar i Bordit të Drejtorëve dhe Kryeshef Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë takimit ka njoftuar kryeministrin Haradinaj për planet për zgjatjen e pistës së aeroportit dhe për zgjerimin e infrastrukturës. Ai tha se “duan të jenë më të mirët në rajon”.

Në anën tjetër edhe përfaqësuesit e KEDS-it i premtuan kryeministrin Haradinaj për angazhim maksimal në përmbushjen e misionit të tyre, furnizim më të mirë të Kosovës me energji elektrike./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne