Turqia dënon sulmet e Armenisë ndaj qytetit azerbajxhanas Ganja

Turqia dënoi ashpër sulmet e fundit të Armenisë ndaj qytetit të dytë më të madh të Azerbajxhanit, Ganja.

“Këto sulme janë tregues i dëshpërimit në të cilin ka rënë Armenia dhe se ajo nuk do të përmbahet nga kryerja e krimeve kundër njerëzimit me synimin për të vazhduar pushtimin e saj të paligjshëm”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

Deklarata theksoi më tej se shënjestrimi i civilëve në Ganja është “manifestim i ri i qëndrimit të paligjshëm të Armenisë”.

Duke nënvizuar se Armenia ka shkelur të gjitha parimet e ligjit humanitar, kryesisht Konventat e Gjenevës, ministria tha se Armenia po sulmon vendbanimet civile përtej zonave të konfliktit që ajo ka pushtuar.

“Armenia është pengesa më e madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Ministria e Jashtme.

Turqia po ashtu riafirmoi mbështetjen e saj për Azerbajxhanin, një vend që deklaron se nuk do të përkulet para provokimit të Armenisë, se ajo përdor të drejtën e saj për vetëmbrojtje që buron nga e drejta ndërkombëtare brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe se bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të parandaluar dëmtimin e popullatës civile.

Përleshjet kufitare shpërthyen të dielën e kaluar kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile dhe pozicionet ushtarake të Azerbajxhanit, duke shkaktuar viktima.

Konflikti i Malësisë së Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht si i Azerbajxhanit.

Rezoluta të shumta të OKB-së, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave okupuese.

Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA-ja, u formua në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por pa rezultat. Megjithatë, një armëpushim u arrit në vitin 1994.

Shumë fuqi botërore, duke përfshirë Rusinë, Francën dhe SHBA-në, kanë kërkuar armëpushim të menjëhershëm./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne