“Turqia dhe Iraku dakord për ta vazhduar luftën kundër PKK-së, DEASH-it dhe FETO-s”

“Nuk ka vend për terrorizmin separatist as në të ardhmen e Turqisë, as të Irakut e as të Sirisë”, tha presidenti turk pas takimit me kryeministrin irakian

Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se janë dakord që së bashku me Irakun ta vazhdojnë luftën kundër grupeve terroriste, duke theksuar se rajoni nuk do të gjejë paqen pa e çrrënjosur tërësisht terrorizmin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Me (kryeministrin irakian Mustafa) al-Kadhimin u dakorduam ta vazhdojmë luftën kundër armiqve të përbashkët, organizatave terroriste DEASH, PKK dhe FETO”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Irakut pas një takimi dhe firmosjes së disa marrëveshjeve në Ankara.

“Turqia i jep rëndësi ruajtjes së unitetit politik dhe integritetit territorial të Irakut. Jemi të gatshëm për çdo kontribut drejt rindërtimit”, theksoi presidenti turk.

Erdoğan tha se Turqia e konsideron gjithë popullin e Irakut si vëllezër të vërtetë, pa bërë dallime sektare ose etnike.

“Nuk ka vend për terrorizmin separatist as në të ardhmen e Turqisë, as të Irakut e as të Sirisë”, shtoi ai.

“Rajoni ynë nuk do të gjejë paqen pa e çrrënjosur në tërësi terrorizmin”, tha Erdoğan.

Presidenti i Turqisë më tej deklaroi se e shohin të lehtë arritjen e një vëllimi tregtar prej 20 miliardë dollarësh midis dy vendeve.

Nga ana tjetër, kryeministri i Irakut, al-Kadhimi, tha se Turqia është vend i rëndësishëm në Lindjen e Mesme dhe një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Irakut.

“Është e pamundur që Iraku të tolerojë ndonjë formacion që kërcënon Turqinë”, theksoi al-Kadhimi.

Ai shtoi se në bashkëpunim me Turqinë, do ta rindërtojnë shkatërrimin e shkaktuar nga organizata terroriste DEASH.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne