Turqia dhe Rusia do të fillojnë patrullimet në zonën e sigurt në Siri

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka deklaruar se Turqia dhe Rusia do të fillojnë patrullimet e përbashkëta ushtarake në zonën e sigurt në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia dhe Rusia së shpejti do të fillojnë patrullime të përbashkëta ushtarake në zonën e sigurt në Siri”, tha Akar.

Patrullimet e përbashkëta ushtarake u planifikuan në një takim të zhvilluar më 22 tetor në qytetin rus Soçi midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, ku gjithashtu u arrit një marrëveshje për Sirinë veriore.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat, në mënyrë që të sigurojnë kufijtë e Turqisë, të ndihmojnë kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojnë integritetin territorial të Sirisë.

Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas së cilës terroristët e YPG/PKK-së brenda 150 orëve të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë veriore, ndërsa forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta atje.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne