“Turqia do t’i vazhdojë bisedimet me Rusinë për armëpushimin në Libi”

Turqia do të vazhdojë bisedimet me Rusinë për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në Libi, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë “pranuar të vazhdojnë të punojnë së bashku për të vendosur një armëpushim të qëndrueshëm në Libi”, tha Çavusoglu në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij iranian Javad Zarif, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Stamboll.

Qeveria e Libisë, e cila gëzon njohjen nga OKB, është sulmuar nga forcat e komandantit renegat Khalifa Haftar që nga prilli i vitit 2019, dhe më shumë se një mijë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e dhunës.

Pasi nisi një kundërsulm në mars kundër sulmeve mbi kryeqytetin Tripoli, ushtria e Libisë kohët e fundit çliroi vendet strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe qytetin Tarhuna, që është konsideruar si një goditje e madhe për forcat e Haftarit.

Vizita e kryediplomatit iranian Zarif në Stamboll është e para nga një ministër i jashtëm që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.

Vazhdojnë fluturimet me Iranin

Turqia dhe Irani planifikojnë të rifillojnë fluturimet më 1 gusht pas një ndërprerje disamujore për shkak të virusit, sipas ministrit Çavusoglu.

“Ne kemi hapur kufijtë. Do të vazhdojmë të punojmë për kalime si nga ajri, ashtu edhe nga toka”, shtoi ai.

Po ashtu, ai shtoi se të dy vendet duhet të vazhdojnë të punojnë për të luftuar terrorizmin në rajon.

Zarif, nga ana tjetër, falënderoi Turqinë për ndihmën në luftën kundër pandemisë.

Duke theksuar se si Irani ishte një nga vendet e para që regjistroi viktima nga COVID-19, Zarif tha se vendi kryesisht e kapërceu valën e virusit duke përdorur forcën e tij kombëtare dhe ndihmën e miqve në rajon.

“Kjo pandemi ka treguar se vendet varen nga njëra-tjetra dhe se politikat e njëanshme nuk janë zgjidhje”, shtoi ai.

Para konferencës për shtyp, dy diplomatët e lartë nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për objektet e tyre përkatëse diplomatike dhe konsullore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne