Thaçi dhe Hoti bashkërendojnë veprimet përpara vazhdimit të dialogut me Serbinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti u takuan sot me kërkesë të Hotit për bashkërendim të veprimeve në procesin e paraljmëruar të rifillimit të dialogut me Serbinë, përpara ardhjes së Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Miroslav Lajçak.

Presidenti Thaçi pas takimit në një prononcim të veçantë për media tha se Kosova, si dhe i gjithë Ballkani Perëndimor, ndodhen para një jave të rëndësishme në të cilën pritet të hapen procese konkrete nga Shtetet e Bashkuara dhe ambasadori Richard Grenel dhe vizita e paralajmëruar e Miroslav Lajçak në Kosovë.

“Ne do të punojmë ngushtë me njëri-tjetrin, si president dhe kryeministër, por edhe me kuvendin dhe të gjitha partitë politike në pushtet dhe opozitë, duke qenë sa më të gatshëm për të bërë të qartë se çka duam të arrijmë, kurse ne duam njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

I pyetur nga gazetarët nëse Lajçak kishte planifikuar një takim me të si president, Thaçi tha se ai nuk ishte informuar për axhendën e Lajçak gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Ai theksoi se nuk është koha për të biseduar çështjet teknike dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se Lajçak duhet të kuptojë që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

“Nëse vjen me këtë qasje dhe qëllimin që ky proces të përfundojë me njohje reciproke, është shumë i mirëpritur. Çfarëdo qasje tjetër, mund të them lirisht, është dështimi i tij i plotë në Kosovë dhe vetë Bashkimin Evropian”, tha Thaçi.

Lidhur me dialogun, Thaçi tha se ai kishte një takim konkret me kryeministrin Hoti dhe se të gjithë do të punojnë sipas kompetencave kushtetuese dhe në koordinim, dhe se në fund të fundit gjithçka do të vendoset nga Kuvendi i Kosovës. Ai tha se deklarata e kryeministrit se kushtetuta përcakton qartë se dialogun udhëheq kryeministri nuk ishte cituar mirë.

“Ne nuk jemi në garë me njëri-tjetrin, ne do të ulemi së bashku kundër Serbisë dhe gara jonë është me Serbinë”, tha presidenti.

Kryeministri Hoti u tha gazetarëve se takimi me presidentin u mbajt me kërkesën e tij për të koordinuar veprimet në procesin e dialogut. Hoti e ka njoftuar presidentin me platformën e dialogut të qeverisë, e cila javë e kaluar u shpalos para Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ai theksoi se dëshiron të arrijë një konsensus brenda spektrit politik të Kosovës, sepse dialogu përfundimtar me Serbinë është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë në Kosovë.

Kryeministri tha se nuk ka asnjë dyshim se qeveria dhe ai, si kryeministër, do të udhëheqin dialogun me Serbinë.

“Kushtetuta është shumë e qartë në këtë drejtim, kompetencat, si të presidentit, ashtu edhe të miat, si dhe kompetencat e institucioneve të tjera janë të qarta, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti i kaluar është shumë i qartë. Kemi role të ndara, por është e rëndësishme që të jemi të koordinuar dhe së bashku në këtë proces”, tha Hoti.

Kryeministri tha se nesër do të takohet me Lajçak në Prishtinë, të cilit do t’i paraqesë qëndrimin e Kosovës në lidhje me dialogun me Serbinë.

Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale në lidhje me Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë në Kosovë nga 15 deri më 18 qershor, në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e postit të tij të ri.

“Në Kosovë, ambasadori Lajçak do të takohet me liderët politikë, përfaqësues të partive politike dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, si dhe me krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së. Ai planifikon të diskutojë me ta kushtet dhe modalitetet për vazhdimin e shpejtë të dialogut të mbështetur nga BE ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, njoftoi sot Zyra e BE-së në Kosovë.

Lajçak gjithashtu do të shfrytëzojë mundësinë për t’u njohur më mirë me situatën në terren.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne