“Turqia e pakënaqur me mbështetjen e aleatëve në luftën kundër terrorizmit”

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın tha se aleatët e NATO-s nuk mbështesin Turqinë, e cila është e vetmja anëtare e aleancës që lufton njëkohësisht kundër tre organizatave terroriste dhe se nuk është i sigurt nëse e njëjta gjë do të ndodhte në rast se në një pozitë të ngjashme ku ndodhet Turqia do të ishte ndonjë anëtar tjetër i aleancës, raporton Anadolu Agency (AA).

I pyetur nga gazatarët të komentojë një deklaratë të mëparshme të ambasadorit amerikan në Turqi, i cili tha se në nëntë muajt e fundit në Turqi nuk ka pasur sulme terroriste vetëm nga shkaku i bashkëpunimit të saj me SHBA-të, Kalın tha se vendi i tij bashkëpunon me shumë shtete në luftën kundër terrorizmit, por se ajo nuk është në nivelet e kënaqshme.

“Terrorizmi është një problem global dhe kërkon bashkëpunim dhe zgjidhje globale. Nuk e shohim këtë bashkëpunim vetëm si mbështetje me gojë, por në procesin e shkëmbimit të inteligjencës, operacioneve të përbashkëta dhe aktiviteteve të tjera. Kur një bashkëpunim i tillë është i pranishëm në teren atëherë ka rezultate. Ne bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera, veçanërisht në luftën kundër DEASH-it, por ne mendojmë se kjo nuk është e mjaftueshme”, tha Kalın.

Ai tha më tej tha se Turqia pret nga aleatët e saj ndihmë konkrete dhe jo vetëm shprehje ngushëllimesh pas sulmeve terroriste.

“Republika e Turqisë lufton kundër terroristëve të DEASH-it, PKK-së dhe FETO-s. Pamja është shumë e qartë nëse e shikojmë, a e mbështetë ndonjë Turqinë nga partnerët e NATO-s ose aleatët e tjerë në këto tre fronte. Jemi të pakënaqur me këtë mbështetje dhe ne besojmë se për këtë shkak ndodhin shumë sulme terroriste në botë. Pyes se si do të reagonte ndonjë vend anëtar i NATO-s po të ishte në pozitën e Turqisë dhe të luftonte kundër tre organizatave terroriste, me mbështetje të kufizuar dhe shumë të dobët”, tha Kalın.

Duke iu referuar situatës në provincën siriane të Idlibit, e cila sipas marrëveshjes së Turqisë, Rusisë dhe Iranit duhet të hyjë ushtria turke si garantues i ndaljes së konfliktit, Kalın tha se në atë rajon akoma po bëhen aktivitete përgatitore për dërgimin e ushtarëve në mision.

“Ju e dini se në Astana, delegacionet ranë dakord të krijojnë katër zona jokonfliktuale në Siri, dhe tani në proces është zbatimi i ndalimit të luftimeve në Idlib që është në kufi me Turqinë. Sipas marrëveshjes, ushtarët tanë do të angazhohen në Idlib, për çka në vazhdim e sipër janë aktivitetet për përgatitjen e terenit”, tha Kalın për të shtuar se situata është shumë më komplekse se sa që duket.

“Flasim për 1.5 milion njerëz që aktualisht jetojnë në Idlib. Përgatitjet janë bërë për dy prioritete, për të mbrojtur ushtarët tanë dhe për të parandaluar çdo vuajtje civile. Do t’ju njoftojmë për këtë proces”, tha Kalın./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne