Turqia: Franca nuk mund të na japë leksione për gjenocidin e historinë

Franca është vendi i fundit që mund ti japë leksione Turqisë për gjenocidin dhe historinë, tha të premten ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) duke iu përgjigjur ashpër pyetjes së parlamentares franceze, Sonia Krimi në lidhje me të ashtuquajturin gjenocid armen gjatë sesionit të hapjes së Seminarit të 99-të Rose-Roth dhe Takimit të Përbashkët të Grupit të Posaçëm për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që zhvillohet në Antali.

Pasi shtroi pyetjen se bie apo jo ndesh me vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe OKB-së shpallja nga ana e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron e datës 24 prill si dita e përkujtimit të të ashtuquajturit gjenocid armen, Çavushollu tha:

“Ju politikanët e shikoni si të drejtën tuaj që të gjykoni dhe merrni vendime për historinë. Opinioni (në lidhje me diçka) është tjetër gjë, ndërsa të marrësh vendim është tjetër gjë. Po mirë, me çfarë njohurish arrini të merrni një vendim kaq të prerë në lidhje me historinë. Dhe arsyeja e vetme e marrjes së këtij vendimi, edhe pse mungojnë njohuritë e plota, është populizmi”.

“Kështu që Franca është vendi i fundit që mund ti japë leksione Turqisë për gjenocidin dhe historinë. Pasi ne nuk i kemi harruar ato që kanë ndodhur në Ruandë dhe Algjeri. Pikë së pari Franca le të shikojnë historinë e saj të errët. Të mos përpiqet t’i japë leksione Turqisë. Në qoftë se ju vazhdoni ti shikoni të tjerët (me përbuzje) nga lart, atëherë edhe ne do të vazhdojmë t’ua tregojmë vendin, ja kështu në këtë mënyrë”, u shpreh ministri Çavushollu./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne