Turqia hedh poshtë deklaratat e Mogherinit për punimet e sondazheve në Mesdheun Lindor

Turqia hodhi poshtë deklaratat e Federica Mogherini, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të bëra në lidhje me punimet e sondazheve për hidrokarbure në Mesdheun Lindor.

Në komunikatën me shkrim të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë thuhet se aktivitetet e Turqisë për sondazhe për hidrokarbure në Mesdheun Lindor janë të bazuara në të drejtat legjitime që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare.

Në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme thuhet se “Ne hedhim poshtë deklaratat e Federica Mogherini, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të bëra në lidhje me punimet e sondazheve për hidrokarbure në Mesdheun Lindor”, ndërsa vijon me këto fjalë: “Siç kemi theksuar më parë në shumë raste, Turqia si një vend që ka vijën më të gjatë bregdetare në rajon, do t’i mbrojë të drejtat dhe interesat brenda pellgut të saj kontinental”.

Gjithashtu thuhet se do të mbrohen edhe të drejtat dhe interesat e Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV) rreth ishullit të Qipros.

“Deri më sot, Turqia nuk ka refuzuar të ndërmarrë hapat e nevojshëm në këtë kontekst dhe nuk do ta bëjë këtë as në të ardhmen”, u tha në komunikatë.

“Në të vërtetë, është administrata grekoqipriote e cila nuk ka abstenuar nga rrezikimi i papërgjegjshëm i sigurisë dhe stabilitetit të rajonit të Mesdheut Lindor, duke shpërfillur të drejtat e patjetërsueshme të turqve qipriotë, të cilët janë bashkëpronarë të ishullit të Qipros, duke refuzuar çdo propozim të bashkëpunimit dhe duke këmbëngulur në aktivitetet e tyre të njëanshme në rajon pavarësisht të gjitha paralajmërimeve tona. Kjo do të jetë një qasje e arsyeshme dhe do të parandalojë paqëndrueshmërinë e mëtejshme në rajon, në qoftë se të gjithë aktorët e tjerë jashtë rajonit e pranojnë faktin se Turqia dhe Republika Turke e Qipros së Veriut nuk mund të përjashtohen nga ekuacioni energjetik në Mesdheun Lindor dhe ata duhet t’i japin fund mbështetjes së pakushtëzuar administratës greko-qipriote”, u tha në komunikatë, ndërsa bëhet e ditur se ata që nuk kanë ndërmarrë hapa për zgjidhjen e kësaj çështjeje për vite, nuk kanë të drejtë t’i japin këshilla Turqisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne