Turqia kap në Siri një person shumë të rëndësishëm të DAESH-it

Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Suleyman Soylu deklaroi se operacionet antiterroriste po vazhdojnë dhe njoftoi se kohët e fundit kanë kapur një njeri shumë të rëndësishëm të DAESH-it në Siri.

Suleyman Soylu mbajti një fjalim në “Seminarin e trajnimit të rojeve të sigurisë brenda shërbimit” në Van.

Në fjalën e tij, ministri Soylu theksoi se Gjermania dhe Holanda deklaruan se do t’i marrin terroristët e DAESH-it së bashku me familjet dhe fëmijët e tyre.

“Ne presim të njëjtin bashkëpunim, të njëjtën afërsi dhe të njëjtin qëndrim konstruktiv nga vendet e tjera. Prandaj, nëse ne do të luftojmë së bashku terrorizmin, atëherë të gjithë duhet të marrin terroristët që janë shtetasit e tyre. Ne nuk jemi partnerë të terroristëve të askujt dhe nuk jemi bujtinë e tyre”, bëri të ditur ministri Soylu.

Ai gjithashtu bëri të ditur se në kuadër të procesit të luftës kundër terrorizmit kohët e fundit kanë kapur një njeri shumë të rëndësishëm të DAESH-it në Siri, ndërsa shtoi se marrja në pyetje e terroristit vazhdon.

Gjatë fjalës së tij ministri Soylu preku edhe në luftën kundër organizatës terroriste gyleniste FETO.

“Lufta kundër FETO-s po vazhdon me vendosmëri të njëjtë. Ne nuk do të heqim dorë deri në shfarosjen e plotë të FETO-s pa marrë parasysh kush çfarë thotë. Gjatë ditëve të ardhshme do të ndërmarrim një operacion shumë të rëndësishëm kundër FETO-s”, deklaroi Soylu./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne