Bota

Turqia mund të gjejë partnerë të tjerë nëse Rusia ngurron të japë sistemin raketor S-400

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, thotë se Ankaraja mund të anulojë marrëveshjen me Rusinë për blerjen e sistemit raketor S-400 nga Rusia dhe të kërkojë një marrëveshje me partnerë të tjerë nëse Moska heziton t’i shes teknologjinë e sistemit të mbrojtjes ajrore më të avancuar Turqisë.

Diplomati më i lartë i Turqisë i bëri këto deklarata në një intervistë me gazetën turke Aksam, transkripti i së cilës u botua të hënën, duke shtuar se Ankaraja më parë kishte arritur një marrëveshje në parim me Moskën për prodhimin e përbashkët të sistemit të mbrojtjes ajrore. “Ne kemi rënë dakord në parim për prodhimin e përbashkët në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, nëse rusët nuk pajtohen, ne do të nënshkruajmë marrëveshje me një vend tjetër, por akoma nuk kemi marrë ndonjë përgjigje negative nga Moska lidhur me këtë çështje”, tha Cavusoglu . Komentet e Cavusoglu erdhën gati një muaj pasi Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje për shitblerjen e sistemeve S-400 në Turqi. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan më vonë tha se Ankaraja kishte bërë tashmë pagesën e parë për sistemin e mbrojtjes ajrore. Sipas marrëveshjes, Rusia do të dërgojë dy sisteme S-400 në Turqi brenda vitit të ardhshëm dhe pastaj do të ndihmojë vendin të prodhojë dy bateri më shumë. Marrëveshja thuhet të jetë me vlerë rreth 2.5 miliardë dollarë. Në një konferencë shtypi në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, u pyet rreth komenteve të Cavusoglu lidhur me transferimin e teknologjisë së sistemit S-400 në Turqi. Ai tha: “Kontaktet dhe negociatat në nivel ekspertësh në kontekstin e kësaj marrëveshjeje janë duke vazhduar. Kjo është gjithçka që mund të them tani për tani”. S-400, emri i plotë i të cilit është Sistemi i Raketave Triumf Mobile Multiple Anti-Aircraft (AAMS), është një sistem raketash i avancuar rus i projektuar për të zbuluar, ndjekur dhe shkatërruar avionë, dronë ose raketa deri në 402 kilometra larg. Ky sistem i është shitur më parë vetëm Kinës dhe Indisë./ PT

OPINIONE