Rajoni

Turqia ndjek nga afër zhvillimet në Ballkan

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) tha se ka filluar procesi i normalizimit ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian.

Çavushollu dha një konferencë vjetore vlerësimi për shtyp me përfaqësuesit e gazetave dhe televizioneve në kryeqytetin Ankara.

Ai tha se në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, edhe pse këtë vit nuk janë hapur kapituj të rinj, ka filluar procesi i normalizimit dhe shtoi: “Në këtë proces normalizimi dëshirojmë të marrim rezultate konkrete veçanërisht në fushat mbi të cilat po punojmë. Ne kërkojmë liberalizimin e vizave, përditësimin e marrëveshjes së Unionit Doganor, si dhe tejkalimin e çalimit të marrëveshjes për emigrimin dhe përmbushjen e angazhimeve të Bashkimit Evropian”.

Ministri Çavushollu u shpreh edhe për vendimin e Austrisë në lidhje me nënshtetësinë e dyfishtë dhe tha: “Veçanërisht në çështjen e nënshtetësisë së dyfishtë, vendimi i udhëheqjes austriake ka bërë që për shkak të nënshtetësisë së dyfishtë, disa nënshtetas tanë të nxirren nga nënshtetësia e këtij vendi. Gjykata Kushtetuese anulon këto vendime. Kështu që edhe nëse në pozitë janë partitë raciste, në institucionet austriake ka të drejta të njeriut dhe demokraci dhe ato funksionojnë”.

Kurse në lidhje me Ballkanin, shefi i diplomacisë së Turqisë tha se e ndjekin nga afër këtë rajon. Ai tha se mbështesin vendimin e popullit të Maqedonisë në procesin e ndryshimit të emrit, ndjekin nga afër fazën e krijimit të qeverisë pas zgjedhjeve në Bosnjë-Hercegovinë dhe për uljen e tensionit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohen kontakte në nivel presidencial.

Ndërkaq Ministri Çavushollu tërhoqi vëmendjen se ka filluar të vihet në pyetje edhe sistemi global dhe shtoi: ”Veçanërisht pas radikalizmit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës besoj se duhet të ndryshohet përsëri edhe rregullorja e brendshme. Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara duhet ti nënshtrohen seriozisht reformës. Të dyja institucionet e krijuara pas Luftës II Botërore, nuk janë në gjendje t’u përgjigjen pritshmërive të Evropës dhe botës”./ trt