Goditi me këpucë Edi Ramën, lirohet banori i Astirit/FOTO

Është liruar nga burgu banori i zonës së Astirit Ilir Katiraj.

Ai është personi që goditi me këpucë kryeministrin Edi Rama, në ambientet pranë spitalit ushtarak në kryeqytet, pak javë më parë. Gjykata ka dhënë për të masën e detyrimit të paraqitjes.

Në mbështetje të tij kanë qenë sot dhjetëra banorë të zonës ku kalon Unaza e Madhe, të cilët shprehen se shumë shpejt do kërkojnë që të lirohet dhe Daniel Dobraj, i cili akuzohet se ka qëlluar me kapsolle efektiven Ina Nuka.

‘’O Daniel ki durim, dhe për ty ne këtu do të rrimë”, janë disa prej thirrjeve të banorëve në ambientet e jashtme të Gjykatës.

Djali i Katirajt u shpreh se dhënia e drejtësisë ka qenë e vonuar, ndërsa babai i tij do t’i bashkohet protestës që prej pasdites së sotme.

Banorët kanë këmbëngulur se prapa hekurave nuk duhet të jenë ata por drejtori i ARRSH-së Afrim Qendro dhe zyrtarët e tjerë, pasi sipas tyre janë kapur haptazi në akte korruptive.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne