Turqia paralajmëron Barzanin: Lëvizja e referendumit për pavarësi do të ketë një kosto

Turqia përshëndeti të enjten votimin e parlamentit irakian për të hedhur poshtë referendumin e pavarësisë së administratës rajonale kurde të Irakut (KRG) dhe paralajmëroi kreun e kësaj të fundit, Massoud Barzani, se këmbëngulja për mbajtjen e referendumit do të ketë një kosto.

“KRG-ja duhet të ketë parasysh që me siguri do të ketë një kosto për të paguar lidhur me këmbënguljen në qasjen e saj për një referendum pavarësisht të gjitha rekomandimeve tona miqësore”, tha në një deklaratë Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë duke përshkruar “deklaratat gjithnjë e më emocionale” të KRG-së në favor të pavarësisë si “alarmante”.

MPJ turke i bëri thirrje administratës rajonale kurde të Irakut gjithashtu “për të vepruar me gjykim të shëndoshë dhe për të braktisur menjëherë këtë qasje të gabuar”.

Parlamenti i Irakut votoi të martën për të hedhur poshtë referendumin jodetyrues, i cili planifikohet të mbahet më 25 shtator, duke autorizuar shefin e Bagdadit zyrtar që të marrë të gjitha masat për të ruajtur unitetin e vendit.

Ekzekutivi irakian i drejtuar nga Kryeministri Haider al-Abadi kishte refuzuar më parë referendumin si të njëanshëm dhe antikushtetues.

Që kur njoftoi planin e saj për mbajtjen e referendumit, KRG-ja ka fituar shumë pak mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar dhe në vend të kësaj është përballur me një mori kritikash të ashpra.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore frikësohen se referendumi kurd i 25 shtatorit mund të ndezë një konflikt të ri me Bagdadin dhe ndoshta me vendet fqinje gjithashtu duke zhvendosur vëmendjen nga lufta kundër organizatës terroriste DAESH në Irak dhe Siri./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne