Koreja e Veriut nuk ndalet, kërcënon Japoninë dhe SHBA-të

Koreja e Veriut është duke u përgatitur që të lëshojë një tjetër raketë balistike ndërkontinentale.

Alarmi është dhënë nga disa zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë, shkruan NBC News. Këta ushtarakë, thanë për NBC News se lëshimi i raketës nga shteti komunist mund të ndodhë brenda 48 orëve. Sipas tyre, satelitët kanë vërejtur lëvizje të raketave në Korenë e Veriut. Javën e kaluar, Koreja e Jugut ngriti alarmin se Peniani po lëvizte një raketë drejt bregut të saj perëndimor. Analistët thanë se shteti komunist do të lëshonte një tjetër raketë balistike më 9 shtator, në datën e themelimit të Republikës së Koresë Veriore. Megjithatë, asnjë raketë nuk u lëshua. Por, tashmë inteligjenca ushtarake amerikane ka informacione se Kim Jong po përgatitet që të lëshojë një raketë brenda disa orëve. Nga ana tjetër, Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të fundosin Japoninë dhe se Shtetet e Bashkuara do t’i rrahin sikurse një qen të tërbuar, deri në vdekje. Kjo deklaratë e fundit e vendit të udhëhequr nga Kim Jong-un, vjen pas vendimit të fundit të Kombeve të Bashkuara për të vendosur sanksione të reja ndaj regjimit të Kim Jong-Un. Komiteti i paqes i Azisë dhe Paqësorit në Kore, i cili mbikëqyr marrëdhëniet e Koresë së Veriut me botën e jashtme, përshkroi Këshillin e Sigurimit të OKB, i cili miratoi një rezolutë të re mbi sanksionet, si një “mjet i së keqes”. “Të katër ishujt e arkipelagut japonez duhet të zhyten në det nga bomba bërthamore”, ka thënë komiteti në një deklaratë. “Japonia nuk është më e nevojshme të ekzistojë afër nesh”, shtoi komiteti. Këshilli i Sigurimit prej 15 anëtarësh votoi njëzëri në mbështetje të një rezolute të hartuar SHBA, e cila dënon testin e raketave dhe vendosjen e masave që përfshijnë një ndalim mbi importet e Koresë së Veriut të tekstilit dhe kufizimeve mbi eksportet e naftës në vend. Në përgjigje, komiteti tha se Shtetet e Bashkuara duhet të “rriheshin si një qen i tërbuar deri në vdekje” për “rezolutën e ndëshkimeve të urryera”. Kur bëhet fjalë për Korenë e Veriut, këto ditë, menjëherë të vjen ndër mend një Luftë e Tretë Botërore, vetëm se në këtë rast, pasojat do të ishin më të rënda, për shkak të arsenalit nuklear.

Një konflikt real mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara e aleatëve të saj në gadishullin Korean dhe rreth tij, do të ishte fatal për miliona njerëz. Prej vitesh, në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin Amerikan të Shtetit thuhet se është diskutuar skenari i një Koreje Veriore bërthamore. Por nëse deri tre vite më parë politikanët qeshnin me këtë opsion të parashikuar nga analistët, tani janë përballur me realitetin. Koreja e Veriut ka 60 koka nukleare, me të cilat mund të godasë Korenë e Jugut, Japoninë, bazat amerikane në gadishullin korean dhe rreth tij, si dhe tokën amerikane. Sipas një analisti për politikën e jashtme në Uashington DC, Harry J. Kazianis, nëse Pyongyang vendos të lançojë një raketë të mbushur nukleare drejt Seulit, Tokios, apo bazave ushtarake të SHBA, masakra do të jetë si asgjë e parë deri më sot, madje as në Luftën II Botërore. Miliona e miliona njerëz do të vdisnin nga shpërthimi ose do të bëheshin viktima të lëndëve radioaktive, pasojat e të cilave do të zgjasnin për vite e vite me radhë./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne