Bota

Turqia reagon ndaj demonstratave të simpatizantëve të PKK-së në Austri

Ministria e Punëve të Jashtme publikoi herët në mëngjes një komunikatë me shkrim për manifestimet e organizuara nga grupe simpatizante të PKK-së në Austri dhe qëndrimin e qeverisë austriake.

“Demonstratat e organizatës terroriste PKK dhe përkrahësve të saj në Vjenë për disa ditë rresht janë një manifestim i ri i mungesës së sinqeritetit në luftën kundër terrorizmit.

Lejimi i propagandës së organizatës terroriste PKK, toleranca ndaj përdorimit të simboleve të organizatës terroriste dhe shënjimi i vendit tonë përmes demonstratave në fjalë nuk mund të pranohen kurrë. Rëndësia e rezultateve konkrete që Turqia ka arritur në luftën e saj të vendosur kundër terrorizmit brenda dhe jashtë kufijve të vendit, po kuptohet edhe më mirë përballë kësaj tabloje. Këto përpjekje për t’i dhënë mbështetje organizatës terroriste PKK, e cila po jep shpirt si rezultat i operacioneve tona të suksesshme, janë të kota.

Ne gjithashtu dënojmë ndërhyrjen e ashpër gjatë demonstratave, e cila shkaktoi lëndime në radhët e të rinjve me origjinë turke dhe dëmtimin e disa bizneseve të komunitetit turk.

Metoda e sigurimit të rendit publik dhe parandalimit të dhunës është luftimi i duhur i terrorizmit.

Ne i ftojmë autoritetet austriake të luftojnë siç duhet me organizatën terroriste PKK, të njohur nga Bashkimi Evropian si një organizatë terroriste, si dhe të mos e shfrytëzojnë çështjen si material për politikë populiste.

Ambasadori i Austrisë në Ankara do të jetë i ftuar në Ministrinë tonë për t’i komunikuar shqetësimin tonë lidhur me demonstratat e grupeve të lidhura me PKK në Vjenë për katër ditë rresht, si dhe dhunën e forcave të sigurisë austriake ndaj të rinjve turq”, thuhet në komunikatën e MPJ turke./trt

OPINIONE

INTERVISTA