Turqia vazhdon mbështetjen për Policinë e Shqipërisë

Pjesë e trajnimit ishin 24 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nga disa qytete të vendit, ndërsa dy përfaqësues nga Policia e Turqisë kanë trajnuar koleget e tyre shqiptarë për parimet e ndërhyrjes në ngjarjet sociale.

Institucionet e Turqisë vazhdojnë mbështetjen me trajnime për punonjësit e Policisë së Shqipërisë, ndërsa trajnimi i fundit ishte për efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shqipërisë (FNSH), mundësuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Turke, raporton Anadolu Agency.

Në aktivitetin e ndarjes së certifikatave organizuar në ambientet e Akademisë së Sigurisë në Tiranë ishin të pranishëm drejtori i kësaj akademie, Bilbil Memaj, sekretarja e tretë pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Seda Kırdar, përfaqësuesja e TIKA-s, Dilek Sayin, koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Necip Özay Özütok, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë.

Memaj në fjalën e tij përshëndetëse tha se në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve do të realizohen përsëri trajnime të tilla në të ardhmen.

“Në emër të Akademisë së Sigurisë falënderoj Policinë Turke për këtë bashkëpunim të ngushtë që ne kemi dhe për faktin që këtë vit është viti më i suksesshëm i bashkëpunimit tonë që do të vazhdojë, në bazë të projektit që kemi. Ky trajnim është i veçantë pasi këtë eksperiencë e marrim nga Policia Turke, pasi ka shumë raste të menaxhimit të situatave rreth menaxhimit të turmave, të aktiviteteve masive”, tha Memaj.

Ai u shpreh më tej se “Ne e dimë tashmë që koleget tanë të Policisë së Turqisë kanë menaxhuar me sukses tubime të tilla, të përmasa shumë të mëdha. Policia duhet të jetë e paanshme sidomos në menaxhimin e turmave pasi nuk duhet të ndikohemi nga politika dhe në rastin e menaxhimit të turmave duhet të jemi shumë të kujdesshëm”.

Përfaqësuesja e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Seda Kırdar, theksoi se duke u shpërndarë eksperiencat në këtë fushë zgjerohen dhe pasurohen më tepër marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Ne jemi së bashku me ju sot duke marrë parasysh bashkëpunimin midis dy shteteve i cili është i shtrirë në shumë fusha të ndryshme. Këto trajnime po bëhen çdo vit dhe theksoj faktin që këto kanë një rëndësi jetësore. Të gjithë përfaqësuesit e policisë kur shpëtojnë jetën e njerëzve të tjerë vendosin në rrezik edhe jetën e tyre. Drejtoria e Policisë në Turqi është një ndër drejtoritë më të suksesshme në botë në lidhje me menaxhimin e turmave”, tha Kırdar.

Ajo theksoi se trajnimi tregon suksesin që kanë marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.

Përfaqësuesi i Policisë së Turqisë, Hakan Er, tha se “Kemi përfunduar me sukses trajnimin, ku kemi folur për taktikat dhe teknikat e ndërhyrjes dhe masat parandaluese që duhet të marrin forcat e ndërhyrjes së shpejtë, për menaxhimin e ngjarjeve me karakter social. Jemi përpjekur maksimalisht të japim më të mirën”.

Pjesë e trajnimit ishin 24 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nga disa qytete të vendit, ndërsa dy përfaqësues nga Policia e Turqisë kanë trajnuar koleget e tyre shqiptarë për parimet e ndërhyrjes në ngjarjet sociale, ose gjatë trazirave të ndryshme, sidomos për menaxhimin e turmave.

Institucionet turke kanë ofruar në vitet e fundit trajnime për tema të ndryshme për pjesëtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në lidhje me metodat e luftës kundër terrorizmit, hetimin kundër krimit të organizuar, konceptet themelore të inteligjencës dhe për tema të tjera.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne