U arrestuan për blerje votash në Himarë, dërgohet për gjykim Fredi Beleri dhe bashkëpunëtori i tij!

TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Fredi Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin, të cilët u kapën duke blerë vota në Himarë për zgjedhjet e 14 majit 2023. Hetimet janë mbyllur 2 muaj e gjysmë pas arrestimit për blerje votash, ndërsa dosja penale i është dërguar Gjykatës së Posaçme, për nisjen e gjykimit. Do të jetë në dorë të gjykatës, e cila përmes një seance paraprake do të vendosë nisjen e gjykimit, rikthimin e çështjes për plotësim në prokurori apo pushimin e saj përfundimtar.

Në kërkesën e SPAK thuhet se Beleri dhe Kokaveshi ofronin 50 euro për votë, ndërsa ata u arrestuan duke i dhënë paratë Arsen Ramës. Dy të pandehurit akuzohen për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’ kryer në bashkëpunim.

Hetimet e zhvilluara nga SPAK kanë zbuluar se Fredi Beleri i ka ofruar Arsen Ramës 50 euro për çdo person që ai do të gjente, në këmbim që në ditën e zgjedhjeve të 14 majit të votonin për Belerin. Ndërkohë, Arsen Ramës i ka premtuar shumën 300 euro si shpërblim për personat që do të gjente për të votëbesuar Belerin.

Nga përgjimet, zbërthimi i celularëve, apo edhe provat në hetime është zbuluar se shtetasi Aresn Rama kishte gjetur 8 persona të cilët do të votonin Blerin në këmbim të shumës 50 euro. Ka qenë Kokaveshi, ai i cili ka bërë ndërmjetësimin për dhënien e parave, duke i dhënë Altin Ramës 40 mijë lekë, katër kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe, për t’i shpërndarë më pas tek 8 personat e tjerë.

“I pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023, ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.

I pandehuri Dhionisios Alfred Beleri ia ka dhënë shumat monetare Arsenit nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Në rastin konkret, sipas SPAK, të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, përmes premtimit dhe ofrimit të shumave monetare ndaj Arsen Ramës në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të kandidatit të Berishës dhe Metës.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Edhe pse i arrestuar, ai mundi të fitojë zgjedhjet kundër kandidatit tjetër të së majtës, Jorgo Goro. Por, Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet nuk i dhanë leje për të kryer betimin për marrjen e detyrës. Arrestimi i tij ka tensionuar jo pak retorikën e fqinjëve grek, të cilët kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm, madje çështjen e kanë ngritur si problematike deri në Bruksel. Në fund të gjykimit, Fredi Beleri rrezikon të dënohet nga 1 deri në 5 vite burg./Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne