U la në “arrest shtëpie”, kush është zyrtarja që “ideoi” inceneratorët dhe drejton zyrën që merret me ekstradimet

Alba Thoma është një prej personave, ndaj të cilëve është vendosur masë sigurimi “arrest në shtëpi” për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Thoma ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në komunikimin mes zyrtarëve shtetërorë dhe “pronarëve realë” të inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Ajo ka qenë drejtoreshë juridike në Ministrinë e Mjedisit gjatë kohës që shqyrtoheshin kontratat koncesionare për landfillët në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, i miratuar në Gusht të këtij viti, Alba Thoma konsiderohej si “njeriu i besuar i Zotos dhe Mërtirit”.

“Konstatohet se KVO ka pasur në përbërje të saj edhe një ndër të besuarat e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, konkretisht shtetasen Alba Thoma”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Alba Thoma, sipas hetimit të SPAK del se është përpiluesja e aktit që i hapi rrugë inceneratorit të Elbasanit. Thoma draftoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Elbasan, që vendoste të shpallë gjendjen e emergjencës mjedisore.

Nga komunikimet elektronike të Bllakos me Thomën hetuesit mësuan se kjo e fundit ka përpiluar dhe draft kontratën koncensionare, që Bllako ia dërgoi më pas shokëve të vet biznesmenë, Zoto dhe Mërtiri. Xhirimi e-maileve ndërmjet Thomës e Bllakos, ky i fundit me Mërtirin e Zoton, ka zbuluar dhe afera të tjera, emra të tjerë, kompani dhe aktivitete private që përlyejnë shtetin dhe biznesin me llum korrupsioni.

Në dosjen hetimore për Arben Ahmetajn përmendet shpesh emri i Alba Thoma, një bashkëpunëtore e tij gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Financave.

Prokurorët e SPAK e konsiderojnë zonjën Thoma si një mikeshë e ngushtë e dy biznesmenëve të plehrave, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Hetuesit kanë zbuluar dhjetëra komunikime elektronike, në të cilat Alba Thoma vinte në dijeni dyshen Zoto-Mërtiri për çdo diskutim, problematikë apo vështirësi në hartimin e procedurave paraprake për koncesionet e landfillit të Fierit dhe Tiranës.

Gjatë dy viteve të fundit, Alba Thoma ka mbajtur poste të rëndësishme në Ministrinë e Drejtësisë, deri në pozicionin e titullares së Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore të Çështjeve të Drejtësisë.

Kjo strukturë përfshin edhe Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, ose e thënë më thjeshtë, Drejtoria e Ekstradimeve.

Pjesë e punës së drejtorisë vijon të jetë edhe ekstradimi të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, dy miqtë e drejtoreshës Alba Thoma.

Prej mëse dy vitesh, bosët e inceneratorëve inekzistentë janë në kërkim ndërkombëtar dhe ata ende nuk janë sjellë fizikisht përballë drejtësisë shqiptare.

Ministria e Drejtësisë, më saktësisht drejtoria e drejtuar prej të paktën dy vitesh nga Alba Thoma, ka dështuar me ekstradimin e dy miqve të drejtoreshës, siç e cilëson SPAK. /tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne