Në përvjetorin e vdekjes së Yevgeny Prigozhin – themeluesit dhe kreut të grupit paraushtarak Wagner – ushtarë që luftuan nën komandën e tij dhe njerëz që simpatizuan idetë e tij u mblodhën në vendin e improvizuar përkujtimor në rrugën Varvarka në Moskë.
Prigozhin vdiq pasi avioni me të cilin po udhëtonte u rrëzua 100 kilometra në veri të Moskës më 23 gusht të vitit të kaluar. Prigozhin u bë i njohur pasi Rusia dërgoi ushtrinë e saj në Ukrainë në shkurt 2022.
Ai shpesh e gjente veten në mosmarrëveshje me figura të larta ushtarake, duke i akuzuar ata për paaftësi dhe tradhti për shkak të mungesës së mbështetjes dhe furnizimeve.
Më pas, për muaj të tërë në vitin 2023, Prigozhin u ankua për ushtrinë që u mohoi forcave të tij municionin që ai tha se ishte shumë i pakët në Ukrainë. Në përleshje të hapura politike, ai sulmoi ministrin e atëhershëm të mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Valery Gerasimov, me ofendime në mediat sociale, duke i fajësuar ata për pengesat ushtarake dhe duke i akuzuar për korrupsion.
Urdhri i Ministrisë së Mbrojtjes që Wagner të nënshkruante kontrata me ushtrinë e rregullt, dukej se ishte shkasja përfundimtare për rebelimin e Prigozhinit më 23-24 qershor 2023.
Mercenarët e tij pushtuan me shpejtësi selinë ushtarake jugore të Rusisë në Rostov-on-Don, duke shpresuar të kapnin Shoigu dhe Gerasimov. Por ata nuk ishin aty.