U shkarkua nga detyra si pasojë e Vettingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shqyrton çështjen e ish anëtares së KLP, Antoneta Sevdari

Të hënën e 19 shkurtit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të shqyrtojë në dhomë këshillimi çështjen që i përket Antoneta Sevdarit, ish-prokurore dhe ish-anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo është çështja e parë që shkalla e dytë e vettingut do të bëjë rishikim të një vendimi, për një subjekt rivlerësimi dhe në rastin konkret është vënë në lëvizje nga ish-prokurorja Sevdari.

Çështja do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, relator Sokol Çomo dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz. Sevdari kërkon rishikimin e vendimit të Kolegjit firmosur në shkurt të 2019, që e shkarkoi atë nga detyra dhe nxori jashtë sistemit të drejtësisë për një periudhë prek 15 vitesh.

Pas largimit nga detyra, ish anëtarja e qeverisë së prokurorëve iu drejtua gjykatën së Strasburgut. Ishte pikërisht gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut që i hapi rrugën ish prokurores për rishikim të vendimit dhe ndezi shpresat asaj për një rikthim në sistemin e drejtësisë. Pasi e shqyrtoi çështjen, gjykata e Strasburgut gjeti shkelje të nenit 8 të konventës “ e drejta për jetë private” dhe vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”.

 

 

Në vendim thuhet se: “Gjykata konsideron se, në bazë të vlerësimit të përgjithshëm të rrethanave të veçanta të çështjes, shkarkimi i aplikantes, bazuar në thelb në faktin se ajo nuk ishte në gjendje të provojë se bashkëshorti i saj pagoi taksat në një pjesë të të ardhurave nga aktivitete të ligjshme në dy dekadat e shkuara dhe në mungesë të ndonjë indicieje për keqbesim apo dhunim të qëllimtë nga vetë aplikanti, ishte disproporcional me synimet e ligjshme të procesit të vetingut,”.

Gjykata rekomandoi se rihapja e procesit ishte mënyra e duhur për rivënien në vend të padrejtësisë së gjetur.
Ish-prokurorja përfitoi edhe 24,600 euro dëmshpërblim për humbjet financiare të pësuara nga shkarkimi, dëmet jopasurore, si dhe kompensim për kostot e procesit.

Strasburgu theksoi se gjithashtu se rasti i Sevdarit, duhet të konsiderohet përjashtimor dhe nuk shërben për të hedhur poshtë në tërësi procesin e vettingut.
Strasburgu po ashtu ka gjetur shkelje edhe në rastin e shkarkimit të ish prokurorit dhe ish anëtarit të KLP-së Besnik Cani, por ende nuk dihet nëse për këtë subject do të ketë ose jo rishikim të vendimit./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress