Ekonomi

U tërhoqën nga eurobondi, bankat po mbajnë më pak para jashtë vendit

Pesha e aktiveve jorezidente të sektorit bankar ka arritur nivelin më të ulët në shtatë vitet e fundit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në mesin e këtij viti bankat kishin investuar jashtë vendit rreth 22% të aktiveve të tyre, me një vlerë totale prej 336 miliardë lekësh ose rreth 2.7 miliardë eurosh. Aktivet jorezidente kanë sot peshën më të ulët në bilancin e bankave që nga mesi i vitit 2013. Ndërkohë, aktivet e sistemit në valutë përbëjnë aktualisht 51.8% të totalit, niveli më i ulët që nga viti 2010.

Në dy vitet e fundit, ulja e peshës së aktiveve në valutë dhe atyre jorezidente lidhet pjesërisht edhe me efektin e kursit të këmbimit. Aktivet jorezidente janë kryesisht në euro dhe nënçmimi i monedhës europiane ndaj lekut jep efekt negativ në vlerën e tyre, të konvertuar në lekë për qëllime të raportimit të statistikave.

Rënia aktiveve jorezidente gjatë pjesës së parë të këtij viti lidhet sidomos me vendimin e disa prej bankave të sistemit për të investuar në eurobondin e qeverisë shqiptare shumë prej fondeve që i mbanin të vendosura në llogari apo depozita jashtë vendit. Kjo e uli peshën e aseteve jorezidente me rreth 2.5 pikë përqindje.

Ndonëse sektori bankar shqiptar nuk është i angazhuar në investime të sofistikuara në tregjet e huaja, pesha e konsiderueshme e aktiveve jorezidente përcaktohet nga niveli i lartë i euroizimit të ekonomisë shqiptare. Afërsisht 52% e depozitave të publikut në sektorin bankar janë në valutë të huaj. Bankat nuk kanë mundësi t’i investojnë të gjitha këto fonde në hua apo instrumente alternative në Shqipëri, ndaj një pjesë e tyre shkojnë jashtë vendit, kryesisht në formë vendosjesh në banka të tjera. Për bankat me kapital të huaj, kjo marrëdhënie shpesh vendoset me grupet bankare zotëruese apo institucionet e lidhura financiare.

Ndërkohë, huaja për jorezidentët pasi arriti pikun në vitin 2017, tashmë është stabilizuar dhe aktualisht përbën rreth 15% të aktiveve jorezidente ose 3% të totalit të aktiveve të sektorit bankar shqiptar.

Në kushtet e normave reale negative për euron mbajtja me sa më pak kosto të likuiditetit në euro është bërë një sfidë për bankat. Jo rastësisht sektori shfaqet shumë i interesuar sa herë që qeveria shqiptare emeton instrumente borxhi në monedhën europiane. Gjatë viteve të krizës, Banka e Shqipërisë aplikoi edhe masa shtrënguese rregullatore, duke rritur kërkesën për kapital në mbulim të investimeve jashtë vendit, por rezultatet nuk ishin shumë domethënëse. As strategjia e deeuroizimit nuk ka sjellë rezultate të dukshme në uljen e peshës së euros në bilancet e institucioneve financiare. /monitor/

OPINIONE

INTERVISTA