Ukraina: 7 të vrarë dhe 22 të plagosur në sulmin ajror rus në kryeqytetin Kiev

Ukraina njoftoi se në një sulm ajror rus gjatë natës në kryeqytetin Kiev, të paktën 7 persona u vranë dhe 22 të tjerë u plagosën, transmeton Anadolu.

“Njëzet e dy persona u plagosën në sulmin e natës të armikut në kryeqytet. Aktualisht, 12 prej tyre janë në spitalet e qytetit. Pjesa tjetër u trajtua nga mjekët në vend. Deri më tani, gjashtë persona janë konfirmuar të vdekur”, tha në Telegram kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.

Ai tha se sulmi rezultoi në dëme të mëdha në një ndërtesë pesëkatëshe në lagjen Shevchenkivskyi të kryeqytetit dhe se puna e kërkim-shpëtimit në vendngjarje është duke vazhduar.

Klitschko më tej tha se vala e shpërthimit dëmtoi gjithashtu apartamente në një ndërtesë banimi 25-katëshe aty pranë.

Po ashtu ai theksoi se u regjistruan dëme në ambiente jo-rezidenciale dhe ndërtesa banimi private në lagjet Solomianskyi, Darnytskyi, Sviatoshynskyi, Podilskyi dhe Holosiivskyi të Kievit.

“Sot, Moska hesht pasi ushtria ruse kreu një sulm plotësisht cinik duke përdorur dronë dhe raketa ruso-iraniane Shahed kundër infrastrukturës civile në Kiev dhe qytete e komunitete të tjera tonat”, tha në platformën X pas sulmit Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Duke theksuar se një person u vra gjithashtu në qytetin Bila Tserkva në rajonin përreth Kievit pasi një dron goditi një spital, Zelenskyy pretendoi se njoftimet paraprake tregojnë se në sulmin ndaj kryeqytetit u përdorën armë balistike nga Koreja e Veriut.

Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan në Telegram se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi 146 nga 352 dronë të lëshuar nga Rusia, si dhe 12 nga 16 raketa të lëshuara gjatë sulmit të natës.

Autoritetet ruse nuk kanë komentuar pretendimet e Ukrainës./aa

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne