UNESCO ratifikon rezolutën që e quan Izraelin “forcë pushtuese” në Jeruzalem

Bordi ekzekutiv i agjensisë kulturore të OKB-së ratifikoi të premten një rezolutë që e identifikon Izraelin si “forcë pushtuese” në Jeruzalem, dhe i bën thirrje atij që të shfuqizojë çdo lëvizje që ndryshon “karakterin dhe statusin” e qytetit.

Rezoluta u miratua nga komisioni i UNESCO-s të martën, duke shkaktuar zemërimin në Izrael.

Teksti, i miratuar në selinë e UNESKO-s, denoncon “të gjitha masat legjislative dhe administrative dhe veprimet e ndërmarra nga Izraeli, forca pushtuese, të cilat kanë ndryshuar ose kanë si qëllim të ndryshojnë karakterin dhe statusin e Qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit”.

Rezoluta tha se lëvizje të tilla ishin “të pavlefshme dhe duhet të shfuqizohen menjëherë”.

Ajo veçanërisht kritikoi aneksimin e Jeruzalemit lindor nga Izraeli pasi e pushtoi atë në vitin 1967, një masë që mbetet e panjohur nga bashkësia ndërkombëtare.

Rezoluta u miratua të martën me 22 vota pro, 10 kundër dhe 23 abstenime.

Ajo tërhoqi zemërimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, i cili u përgjigj këtë javë duke pakësuar fondet e vendit të tij për OKB-në me një milion dollarë.

Duke thënë se rezoluta mohon lidhjen historike të hebrenjve me Jeruzalemin, Netanjahu e quajti masën “absurde” dhe tha se “ky ngacmim sistematik e ka një çmim”. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne