Universitetet, çka janë ato, për çka shërbejnë?

Universiteti është produkt i rrethanave shoqërore, që vihet në shërbim të shoqërisë, por duke e ruajtur autonominë e mendimit. Ose, edhe më konkretisht, shoqëria mundet dhe duhet të themelojë universitete për nevojat e saj, por nuk duhet ketë një pakt, marrëveshje, që ato të jenë vetëm në shërbim të saj.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Para se të flasim për universitetet, rolin e tyre në shoqëri, qëllimet, si dhe sa ndikojnë ato në formësimin e shoqërisë dhe sa shoqëri ndikon në ta, duhet të dimë se çka janë universitetet? Nëse do t’i referohemi historisë, universitetet e para, së paku ato në Evropë, janë paraqitur diku tetë shekuj më parë. Sipas Stafan Collini-it, një herë e një kohë, universitetet nënkuptonin përgatitjen e një grupi të vogël të njerëzve për t’i shërbyer kishës, e më vonë për t’i shërbyer shtetit. Në një kohë më vonë ata ndihmuan për t’i hedhur një shkëlqim të vogël dhe një shenjë të qartë klasore një zotërie dhe, më vonë, ata edhe më tej ndihmonin për ta rrënjosur moralin e krishterë dhe formimin e karakterit. Pastaj ata erdhën dhe u bënë një shtëpi për “mësime të larta”, që ishte si rezultat i marrjes së disa bursave inkurajuese, që shpiu ka një punë origjinale në shkencat natyrore. Vetëm në pjesën e parë të shekullit të njëzet, roli i tyre kryesorë do të jetë formimi i një elite udhëheqëse në shoqëri, për të kultivuar dituri të posaçme dhe kërkime shkencore dhe për t’u dhënë një dritë kulture komunitetit lokal, masave. Ndërkohë ata në vazhdimësi janë ngarkuar me punë të posaçme praktike nga udhëheqës politikë kombëtarë dhe lokalë, por edhe nga bossat e industrisë, të kishës, nga komandantë ushtarak, si dhe nga grupet e ndryshme të interesit, që ishin pozicionuar mirë në shoqëri. Në këtë mënyrë, universitetet bëhen një hapësirë e mbrojtur ku bëhen përpjekje që thellimi i njohurive njerëzore të bëhet prioritet kryesorë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka edhe forma tjera të organizimit ku këto njohuri thellohen, por, sipas autorit, universitet në princip, në kërkimin e këtyre të njohurive nuk i nënshtrohet asnjë qëllimi paraprak. Kjo është autonomia e universitetit, që është më e bukura e tij. Me një fjalë, universiteti është produkt i rrethanave shoqërore, që vihet në shërbim të shoqërisë, por duke e ruajtur autonominë e mendimit. Ose, edhe më konkretisht, shoqëria mundet dhe duhet të themelojë universitete për nevojat e saj, por nuk duhet ketë një pakt, marrëveshje, që ato të jenë vetëm në shërbim të saj. Vetëm pasi t’i jetë thënë liria dhe autonomia, universiteti mund t’i kryejë detyrat shoqërore dhe, më e rëndësishmja, të zhvillojë perspektiva dhe vizione të reja, pa u konservuar e shndërruar në shërbyes shtetërorë.

Universitetet ndryshojnë, siç ndryshon shoqëria, por asnjëherë vetëm thjeshtë si refleksion direkt i këtyre ndryshimeve: raportet janë gjithmonë më dialektike dhe më indirekte. (Speaking of Universities: 36-37). Për shembull, një ndryshim i madh që ndodhë në tridhjetë vitet e fundit është kalimi nga një ekonomi e tregut drejt një shoqërie të tregut, që ka ndikuar në shumë sfera të jetës, të cilat vështirë se mund t’i analizojmë në këtë shkrim. Një çështje që në mënyrë direke e prek opinionin për universitetet, e që është pasojë e këtij ndryshimi të madh në shoqëri, është zvogëlimi i dallimeve, që ndikojnë në erozionin e besimit në profesionalizëm; rritja e një forme të populizmit relativist – gjithë këta e kanë etiologjinë e tyre, por kanë ndikim edhe në debatet publike për universiteteve. Kjo ndodhë edhe në Maqedoni, veçanërisht në pjesën shqiptare. Ndryshimet shoqërore në tre dekadat e fundit në përmasa botërore sollën në rritjen enorme të universiteteve. Në Britaninë e Madhe në vitin 1990 kishte 46 universitete që përgatisnin përafërsisht 350.000 studentë, ndërsa njëzet e gjashtë vite më vonë ka mbi 140 universitete dhe kolegje ku studiojnë mbi dy milionë studentë. Ndërkaq në Kinë mendohet se janë themeluar më shumë se 1.200 universitete vetëm në njëzet vitet e fundit.

Pa u thelluar në përmasa globale, të shohim se çka ndodhë në trojet shqiptare brenda 30 viteve të fundit, posaçërisht në Maqedoni. Shqiptarët gjithashtu patën transformime të jashtëzakonshme në tridhjetë vitet e fundit, duke kaluar nëpër ndërrime regjimesh, luftërash dhe transformimesh të sistemit, që kanë lënë pasoja në të gjitha poret e jetës, si edhe në arsim. Por, kjo nuk është arsye për të mos bërë një vështrim kritik rreth situatës në arsimin universitarë, por edhe në përgjithësi në arsim, që prej atij parashkollorë e deri te ky i fundit. Sot nuk e dimë saktë sa universite funksionojnë gjithandej në trojet shqiptare, sa publike, sa private, e sa ilegale dhe gjysmë-ilegale, andaj edhe numri i diplomave dhe të diplomuarve duket të jetë tejet irrelevant për ta vlerësuar gjendjen në arsimin universitar. Që sado pak të kemi një pasqyrë për situatën, do të japim disa të dhëna nga vendet e regjionit dhe dy shteteve shqiptare, që kanë kaluar me dallime të vogla nëpër të njëjtat turbulenca. Fundja, nuk mund të japim vetëm arsyetime pa nxjerrë konkluzione, mësime edhe pas tre dekadave të pluralizmit dhe demokracisë.

Do të japim disa të dhëna për veprimtarinë shkencore si një nga detyrat e universiteteve. Të dhënat rreth investimit në universitetet, publikimet shkencore dhe numrin e patentave në dy shtete shqiptare dhe shtetet e regjionit. Sipas Bankës Botërore, që përfshinë periudhën 2004-2013 dhe vetëm disa për vitin 2014, këto të dhëna janë kështu: shikua sipas asaj se sa për qind prej Bruto Prodhimit Vendor (BPV) shtetet ndajnë në vit për hulumtime shkencore, del se për Shqipërinë ka të dhëna vetëm për vitin 2007 dhe 2008 dhe kjo rezulton me vetëm 0.09% , gjegjësisht 0.15% prej BPV-së në vit. Krahasuar me Maqedoninë, që në këto dy vite (2007 dhe 2008) ka ndarë 0.17%, gjegjësisht 0.22% prej BPV-së, që të mbarojë me 0.44% në vitin 2013, dhe Serbinë, e cila në vitin 2007 ka ndarë 1.15%, për vitin 2008 nuk ka të dhëna, ndërsa në vitin 2013 ka ndarë ndanë 0.38% prej BPV-së. Diferenca është evidente ose vet fakti që nuk ka të dhëna për vitet e tjera tregon se ku është shkenca në këto vende. Mos të flasim për Greqinë, që në vitin 2013 ka ndarë 0.73% të BPV-së dhe Turqisë, që ka ndarë 0.94% të PBV për hulumtime shkencore.

Ky dallim shihet edhe në numrin e botimeve shkencore. Pa u ndalë për çdo vit veç e veç, do të japim të dhëna vetëm për vitin 2013. Në Maqedoni janë botuar 440 botime shkencore, në Shqipëri 184, ndërsa në Kosovë 124 botime shkencore. Dy shtetet shqiptare bashkë (308) më pak se Maqedonia! E të mos flasim për Serbinë, që ka pasur gati njëzet herë më tepër botime, gjegjësisht 5.169 botime. Bile edhe Mali i Zi, që është një e gjashta e Shqipërisë, ka botuar më shumë punime se shteti ynë amë, gjegjësisht 192.

Shikuar sipas patentave të regjistruara, situata është edhe më tragjike. Në Shqipëri prej vitit 2004 deri në vitin 2014 ka të regjistruar gjithsej 13 patenta: në vitin 2011 janë regjistruar 3 patenta dhe në vitin 2014 janë regjistruar 10 patenta. Ndërkaq Kosova nuk ka të regjistruar asnjë patentë. Për dallim prej tyre, në Maqedoni prej vitit 2004 deri në vitin 2014 janë regjistruar mesatarisht nga diku 40 patenta në çdo vit, ndërsa në Serbi ka një rënie prej 473 në vitin 2004 në 201 në vitin 2014, gjegjësisht diku 300 patenta mesatarisht për çdo vit. Turqia ka një rritje marramendëse në gjitha parametrat (kuptohet, krahasuar me vendet e regjionit dhe një historik që merrej si sinonim për prapambeturi): në vitin 2004 ka regjistruar 682 patenta, ndërsa në dhjetë vitet e fundit ka rritje permanente, saqë në vitin 2014 ka regjistruar 4.776 patenta. Kjo është gjendja në shkencën shqiptare, që i bie se universitetet tona nuk merren me shkencë. Ose, ndoshta, merren vetëm me arsim!

Por, sa kanë arritur ta arsimojnë popullatën? Dhe, nëse e kanë arsimuar, për çka a ka arsimuar? Të dhënat, fatkeqësisht, flasin për një shoqëri të kriminalizuar dhe të korruptuar. Si tregues për të vlerësuar se si është situata sa i përket krimit dhe korrupsionit, do ti përdorim dy indikatorë. Për, krim do ta marrim numrin e të vrarëve në vit në 100.000 banorë, sërish sipas të dhënave të Bankës Botërore, kurse për korrupsion një raport për ndjekjen e korrupsionit të përgatitur nga Southeast Leadership for Development and Integrity – SELDI për Evropën Juglindore plus Turqinë. Sipas të dhënave, Maqedonia ka një rënie permanente sa i përket numrit të vrasjeve në 100.000 banorë: nga 2.3 në vitin 2004 në 1.0 në vitin 2014. Te të gjithë shtetet e regjionit ky numër mesatarisht është nën 2 të vrarë në 100.000 banorë, përveç në Shqipëri dhe Kosovë, ku me disa variacioni sillet rreth 4, që është sa dyfishi i shteteve të tjera në regjion. Në këtë duhet të kenë ndikuar më tepër faktorë, por prapë është evidente se numri i vrasjeve në dy shtetet shqiptare në 100.000 banorë është shumë më i lartë se në gjitha shtetet e rajonit, që merret si tregues për kriminalitetin në shtet, por edhe në shoqëri. Sa i përket korrupsionit, do t’i marrim të dhënat nga një sistemit i njohur si CMS (Corruption Monitoring System), që është në harmoni me qasjen që e kanë Kombet e Bashkuara deri te viktimat. Për vitin 2016, CMS-ja, jep një shikim sistemor për korrupsionin nëpërmjet shtatë indikatorëve për korrupsion. Këto janë formuar nga të dhënat e anketave si perceptim dhe viktimizim, në një popullate madhore dhe janë të ndara në tri grupe: 1. Përvoja aktuale nga korrupsioni, që përbëhet nga indeksi i parë – shtypja (presioni) dhe përfshirja; 2. Qëndrimi ndaj korrupsionit, që është analizuar nëpërmjet indeksit – vetëdija, pranimi (pajtimit) dhe sensibiliteti; 3. Perceptimi për korrupsionin, që është i bazuar në indekset e probabilitetit për shtypje dhe shpërndarje të korrupsionit. Këto tri grupe të indekseve e paraqesin baraspeshën ndërmjet korrupsionit dhe antikorrupsionit (luftën për ta ndaluar, reagimi i popullatës kundër korrupsionit) në një vend (Më tepër shih në:„Извештај за проценка на корупцијата во Македонијa”, 2016, CSD & SELDI.net, МЦМС, USAID, Shkup. fq. 9-13.).

Sa i përket korrupsionit në nivel regjioni, listës i prin Shqipëria, e ndjekur nga Maqedonia, që kur analizohen të dhënat mbi bazë etnike, del se shqiptarët janë ata që ndikojnë që ka vend aq të lartë në tabelë. Shqipëria prin në të gjitha format e korrupsionit, qoftë si mito, qoftë në formë të dhënies parave të gatshme, qoftë në formë të dhuratës ose ndonjë lloj tjetër favori. Maqedonia dhe Bosnja dhe Hercegovina sikur luftojnë për vendin e dytë në listë, por nuk mbetet larg as Kosova. Në fund të listët është Kroacia, një vend anëtar i BE-së, kurse në mes gjenden shtetet e tjera të Ballkanit të dala nga ish Jugosllavia, Mali i Zi dhe Serbia. Më e keqja është se në indeksin e kundërshtimit Shqipëria dhe Kosova janë shumë poshtë, që tregon se këto shoqëri janë bërë imune ndaj këtij fenomeni, mos të themi se kjo është pranuar si vlerë. Pra, pothuajse fare nuk ka reagim prej opinionit publik ose ai është i papërfillshëm.

Nëse kështu është gjendja në shoqërinë shqiptare, duke marrë për bazë atë që u tha, se universitete në momente të caktuara në histori kanë pasur misione të caktuara në shoqëri, qoftë për të edukuar, për të formuar vlera, për të krijuar lider politikë e ekonomikë, deri tek vënia në shërbim të zhvillimit ekonomik e shoqërorë, shtrohet pyetja: cili duhet të jetë misioni i universiteteve shqiptare në këtë gjendje të shoqërisë? Apo, kush kë do ta trajtojë të pari, shoqëria universitetin apo universiteti shoqërinë? Gjendja është serioze dhe kërkon debat gjithëpërfshirës.

Të kthehemi pak në Maqedoni, veçanërisht te shqiptarët, që në tridhjetë vitet e fundit kaluan nëpër turbulenca të mëdha. Viti 1990-të, kur ra sistemi komunist dhe filloi demokracia, ata i gjeti në gjendje katastrofale. Përderisa në këto vite në Evropë dhe botë filloi erupsioni i arsimimit universitar, shqiptarët luftonin për të drejtat elementare, si liria e shprehjes dhe arsimimi bazik. Në vitin 1994/95 shqiptarët jetonin diku 80% në vendbanime rurale, fshatra, ku profesioni kryesor ishte bujqësia dhe puna fizike. Atëbotë në shkollat e mesme të vendit merrnin pjesë me 3.4% nga përqindja e përgjithshme e nxënësve. Shikuar në tërësi, përqindja e popullatës, që ishte me më pakë se tetë vjet shkollim ishte diku 96%-97%. Vetëm 3-4% ishin me shkollë të mesme dhe me arsim të lartë e sipëror. Të rinjtë shqiptarë, që në vitet 1990/2000 ishin 15-vjeçarë, që sot duhet të jenë në moshën më produktive – ndërmjet moshës 42 dhe 32 vjeçe, janë me tetëvjeçare, që janë prindërit e studentëve tanë të sotshëm. Kjo duhet të ketë ndikim në situatën në shoqëri, por edhe në rezultatet e universiteteve. Lufta, politike në vitin 1990/2001 ishte për liri të shprehjes, për arsim të mesëm dhe vetëm pas disa viteve, më konkretisht në vitin 1994, do të themelohet Universiteti i Tetovës, në kushte gjysmë-ilegale dhe me viktima.

Pas ngjarjeve të vitit 2001 çështja shqiptare në aspektin politik ngrihet në një nivel më të lartë, me kërkesa për vendimmarrje politike, së paku në legjislativ, përfaqësim në institucionet shtetërore, përdorim simbolesh dhe gjuhë, por veçanërisht ngrihet çështja e arsimit të lartë. Me këto të drejta politike, që në një masë janë implementuar, veçanërisht me hapjen e universiteteve në gjuhën shqipe dhe rritjen e pjesëmarrjes në institucione shtetërore e komunale, u krijua një situatë e re – filloi procesi i modernizimit dhe urbanizmit. Por, kjo nuk i zgjodhi të gjitha problemet. Përkundrazi, në shumë segmente i multiplikoi. Shqiptarët kanë avancuar në disa sfera, por janë larg të qenit të barabartë me maqedonasit. Kjo i vetëdijesoi edhe më shumë për pabarazinë e tyre, jo vetëm politike e etnike, por edhe atë ekonomike. Çdo ditë e më tepër filloi të aktualizohet problemi i “barazisë”, tanimë duke e vënë theksin më shumë te barazia ekonomike, sesa tek ajo etnike e politike. Fundja, shkencat politike që merren me konflikte, shkaqet e përplasjeve ndëretnike pikësëpari i shohin te pabarazia e qasjes në tregun e punës, pjesëmarrja në shpërndarjen e resurseve të përbashkëta publike dhe pastaj te dallimet etnike e kulturore. Për shumë arsye, por edhe për shkak të mosadresimit me kohë të këtij problemi, shqiptarët janë të pabarabartë në tregun e punës, bile në sektorët më profitabil. Ata sot nuk kanë qasje në tregun e telekomunikacionit dhe informatikës, në tregun energjetik dhe në atë bankar, në tregun farmaceutik dhe në disa segmentet të tjera shumë të rëndësishme.

Në funksion të “barazisë” ekonomike, një grup entuziastësh, në mesin e të cilëve isha edhe unë, ngritën idenë e universitetit të tretë shtetërore në Shkup, “Nëna Tereza”. Pra, ideja bazë e universitetit të ri ishte, së pari, krijimi i parakushteve për barazi ekonomike nëpërmjet fakulteteve të shkencave teknike dhe, së dyti, ballafaqimi me sfidat e modernizimit dhe urbanizimit të shqiptarëve brenda shtetit, por edhe ballafaqimi me globalizimit, që shqiptarët i vendos ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Vetëm të përkujtojmë se sipas Entit për Punësim, në Republikën e Maqedonisë profesione më të kërkuara për vitin 2016, por edhe në vitin 2017 dhe në të ardhmen do të jenë: programimi, informatika, inxhinieria e ndërtimtarisë, arkitektura, makineria, teknologjia, elektroinxhinieria. Kalimthi të them se rroga më të larta në Maqedoni për vitin në vijim, pas aviokomunikimit, kanë programuesit me mesatarisht 49.077 denarë në muaj (mbi 800 EUR), pastaj vijnë inxhinierët e profesioneve që i përmendëm paraprakisht. Të gjitha këto i kishim për bazë kur vendosëm që mu këto fakultete t’i themelojmë. Ne ishim optimistë, por nuk ishim naivë. Ishim të vetëdijshëm edhe për potencialin kadrovik edhe për mungesën e hapësirave adekuate dhe për infrastrukturën përkatëse. Por, e dinim se nëse një ditë nuk fillohet, ajo kurrë nuk do të krijohet. Më mirë më herët se vonë! Gjithashtu, e kishim të njohur tanimë praktikën se si avancohen çështjet shqiptare në Maqedoni – duhet të krijoni një problem, që të zgjidhni një më të madh. E dinim se politika diskriminuese e maqedonasve, grupe të caktuara të interesit, por edhe konkurrentët në tregun e arsimit të lartë, nuk do ta presim me entuziazëm, por me kundërshtim. Por, nuk ishim të përgatitur për një opinion negativ që do të përhapin disa media dhe grupe të interesit. Patëm gjithashtu shumë kritika pozitive edhe dashamirëse, që na ndihmuan dhe do të na ndihmojnë në realizimin e kësaj ideje. Ideja është në realizim e sipër, sfidat janë pjesë normale e procesit, por kthim prapa nuk ka. Nëse Universiteti i Tetovës kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe emancipimin përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoni, ai i Evropës Juglindore duhej t’i përgatisë shqiptarët për urbanizimin dhe për bashkëjetesë në një shtet multietnik, universiteti “Nëna Tereza” ka për qëllim arritjen e barazisë ekonomike të shqiptarëve dhe përgatitjen për një botë globale. Shqiptarët patjetër duhet të jenë të barabartë në gjitha sferat e jetës dhe të jenë të gatshëm për gjitha sfidat. Ky projekt është në atë funksion. E sa do ta përdorim, kjo varet prej të gjithë neve!/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne