Universiteti i Durrësit/ 3 pedagogë mbikëqyrin 98 doktorantë, ja çudirat e tjera

Nuk kanë të sosur çudirat dhe abuzimet në universitetet shqiptare. Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit vetëm tre pedagogë kanë mbikëqyrur njëherësh 98 studentë të shkollës së doktoraturës, ndërsa nga ana tjetër ka cikle studimi me vetëm dy studentë. Ky është një nga konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në një raport të vitit 2014, për kontrollin e veprimtarisë ekonomike financiare të Universitetit të Durrësit, për periudhën 2013-2014. Pedagogët i kanë mbikëqyrur doktorantët në të njëjtën kohë, duke nisur që nga viti akademik 2009-2010. KLSH thotë se rritja e sforcuar e numrit të doktorantëve sjell rënie të nivelit të kërkimit shkencor dhe deformim të kërkuesve të ardhshëm të kësaj fushe.

“Është konstatuar se Universiteti që nga viti akademik 2009-2010, është shtrirë edhe në ciklin e tretë të studimeve. Konstatuam se pavarësisht kohës së shkurtër në këtë cikël janë të regjistruar 98 studentë. Gjithashtu janë konstatuar se në fakultetin ku është hapur ky cikël studimi janë në dispozicion vetëm 3 pedagogë me tituj që mbikëqyrin 98 studentë të shkollës së doktoraturës. Në gjykimin tonë ky nivel pedagogësh me tituj dhe grada (19%) e stafit akademik, nuk justifikon hapjen e studimeve në ciklin e tretë me një numër të konsiderueshëm për kapacitetet akademike që kanë”, thuhet në raport.

Cikël studimi me 2 studentë
Nga ana tjetër, KLSH ka konstatuar se ka cikël studimi me vetëm 2 studentë. “U Konstatua se në vitin akademik 2012 – 2013 rezulton se janë regjistruar 13,541 studentë, nga të cilët 82% e studentëve janë të nivelit bachelor (me kohë të plotë dhe kohë të pjesshme). Niveli i studentëve në ciklin e dytë është e njëjtë si për masterin shkencor dhe atë profesional. Evidentohet cikël studimi me 2 studentë. Ka një numër të konsiderueshëm studentësh në ciklin e parë të studimit në Fakultetin e Peshkopisë, cilësojmë se 26% e tyre janë në ciklin me kohë të pjesshme.

Nuk jemi përqendruar në analizën e vendimmarrjes kosto përfitim për degët dhe fakultetet që mbahen nga ky Universitet për shkak të kornizës së ngushtë të misionit të këtij auditimi, por nisur nga leximi i numrave për numrin e studentëve dhe kapaciteteve njerëzore në dispozicion. Për këtë është rekomanduar që: Nga ana e universitetit të bëhet një analizë e plotë e mundësive që ka institucioni për të përballuar mësimin në ciklet e studimit dhe degët e tij dhe të mbahen ato degë dhe ai numër studentësh që i përgjigjen këtyre kapaciteteve duke synuar në këtë mënyrë edhe rritje të cilësisë së mbulimit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor”, konstaton KLSH.

Abuzimet e tjera
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se në Universitetin e Durrësit janë paguar persona si anëtarë bordesh dhe komisionesh pa qenë fare prezent. Ky është një abuzim i hapur me paratë e studentëve. “Nga auditimi i veprimeve të kryera me bankë u konstatuan pagesa me vlerë 525,600 lekë, për 14 punonjës të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit (UAMD), e cila përfaqëson pagesa të kryera gjatë vitit 2014 për pjesëmarrje në borde etj, ndërkohë që personat përfitues nuk kanë qenë prezent në këto borde, veprim që bie në kundërshtim me VKM nr. 418, datë 27.06.2012 “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të Këshillave, Bordeve,ose Komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”. Për këtë është rekomanduar që: Të kontabilizohet dhe të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për arkëtimin e vlerës 525,600 lekë, përfituar padrejtësisht nga 14 punonjësit e UAMD”, thuhet në raport.

Pjesët e makinave
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar gjithashtu se janë blerë pjesë për makina, të cilat nuk kanë lidhje me makinat që ka universiteti. “Komisioni i blerjeve me vlera të vogla ka kryer blerje për “pjesë ndërrimi” për automjete me vlerë 463,600 lekë. Pjesët e blera nuk janë të vlefshme për automjetin që ka gjendje UAMD. Blerja nuk është e shoqëruar me kërkesën për domosdoshmërinë e tyre, procesverbalin për defektet e konstatuara dhe nuk ka procesverbal për riparimin e mjetit. Në tërësi veprimet e kryera janë në kundërshtim me urdhrin e APP nr. 33, datë 11.7.2013 “Për gjurmët e auditimit për prokurimin me vlerë të vogël dhe të lartë” . Për këtë është rekomanduar që: Të kontabilizohet dhe të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për arkëtimin e vlerës 463,600 lekë, nga anëtarët e komisionit të blerjeve me vlera të vogla”, vijon raporti.

Jashtë kontrollit  
Sipas KLSH sistemi i mësimdhënies në Universitetin e Durrësit është jashtë kontrollit Në raport thuhet se “nga grupi i auditimit u konstatua tejkalim i ndjeshëm i ngarkesës mësimore vjetore nga stafi akademik. Duke pasur në konsideratë që udhëzimi i MAS nr. 20, datë 09.05.2008, lejon kryerjen deri në 30 për qind, rezulton se është evidentuar një nivel ngarkese e tejkaluar më shumë së 100% të ngarkesës. Tejkalimi i normës vjetore, për mësimdhënien është paguar në masën e plotë në të gjitha fakultetet e UT-së, me urdhër të rektorit, në mbështetje të miratimeve nga ish Ministria e Arsimit dhe Shkencës sot Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Nga auditimi u konstatuan edhe tejkalim i ndjeshëm i normës mësimore javore prej 6 orësh në javë, kështu konstatuam raste të ngarkesave mesatare javore deri në 18 orë në javë (ndërkohë që një ngarkesë e tillë është e pajustifikuar edhe nga pikëpamja e mundësive njerëzore për tu realizuar). Kjo ngarkesë lëviz nga fakulteti në fakultet. Këto të dhëna tregojnë për përdorim jo efektiv të burimeve njerëzore, planifikim jo të drejtë dhe gjithashtu neglizhencë në monitorim nga ana e drejtuesve të këtyre fakulteteve të realizimit të orëve mësimore, mungesë totale e sistemeve të kontrollit”.

Disa nga rekomandimet e KLSH për Universitetin e Durrësit
-Të merren masa për të ngritur një sistem kontrolli dhe monitorimi të ngarkesës mësimore të çdo pedagogu të universitetit si dhe të ketë një planifikim të kujdesshëm të ngarkesave bazuar në një vlerësim real të mundësive fizike për të përballuar këtë nivel mësimdhënie.

Ndërkohë të merren masa që të zbatohet plotësisht Udhëzimi nr. 20, datë 9.5.2008 “Për veprimtarinë e Personelit Akademik në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë”, i ndryshuar ku cilësohet se “Personeli akademik me kohë të plotë në ILA publike, mund të tejkalojë normën vjetore për mësimdhënien deri në masën 30%, pasi të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e kohës vjetore të punës ….”

-Nga ana e Universitetit të analizohen shifrat dhe faktet e cilësuara në këtë raport auditimi, të merren masa që të reduktohen ndjeshëm studentët që ndjekin studimet në ciklin e tretë, pasi rritja e sforcuar sjell rënie të nivelit të kërkimit shkencor dhe deformim të kërkuesve të ardhshëm të kësaj fushe.

-UAMD, me përfundimin e afatit të kontratës së qirasë, të mos përsërisë dhe të mos lidhë kontratë të re për dhënien me qira të truallit në pronësi të saj me asnjë subjekt privat, ose shtetëror.

-Të analizohet përgjegjësia institucionale dhe të kërkohet kthimi në buxhetin e universitetit i shumës 1,480,728 lekë nga personat përgjegjës që nuk kanë ndjekur dhe mbrojtur veprimet administrative të institucionit.

-Të kontabilizohet dhe të kërkohet kthimi në buxhetin e universitetit i shumës 8,500,000 lekë nga personat përgjegjës që kanë për detyrim ti menaxhojnë dhe monitorojnë këto fonde dhe që kanë lejuar përdorimin jo efektiv të tyre.

-Të kontabilizohet dhe të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për arkëtimin e vlerës 3,875,044 lekë, nga shoqëria që ka përgatitur projektpreventivin.

-Të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për arkëtimin e vlerave 525,600 lekë, 463,600 lekë, 463,600 lekë, 332,589 lekë, 168,000 lekë, 65,600 lekë.

 

 

Adriatik Doci

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne