Urdhër-arreste për organizatorët e referendumit në Kurdistanin e Irakut

Një gjykatë e lartë irakiane ka lëshuar urdhër-arrestet për kryetarin e komisionit për zgjedhjet dhe referendumin e rajonit gjysmëautonom të Kurdistanit irakian dhe dy ndihmësit e tij për shkak të organizimit të referendumit të diskutueshëm të 25 shtatorit mbi pavarësinë e Kurdistanit nga pjesa tjetër e territorit të Irakut.

Zëdhënësi i Këshillit të Lartë Gjyqësor të Irakut, Abdel Sattar Bajrakdar tha të mërkurën se urdhëresat ishin lëshuar për Hendren Muhamed Saleh, Jari Haxhi Omar dhe Vahida Yofo Hermez. Gjykata vendosi se të tre “organizuan referendumin në kundërshtim me një vendim të Gjykatës së Lartë të Irakut”, e cila e kishte konsideruar referendumin si jokushtetues dhe urdhëroi anulimin e tij. Bajrakdar vuri në dukje se gjykata në Bagdad veproi në përgjigje të një kërkese nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i kryesuar nga Kryeministri Heidar Abadi. Kryeministri irakian tashmë ka kërkuar anulimin e rezultateve të referendumit. Gjatë një konference për shtyp në Paris, Abadi tha se qeveria e tij nuk kërkon konfrontime me kurdët irakianë, por përsëriti qëndrimin e Bagdadit se referendumi ishte i paligjshëm dhe se problemet duhet të zgjidhen brenda kuadrit të kushtetutës së Irakut./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne