Opinion

Urrejtje ndaj Erdoğanit apo dashuri ndaj FETO-s?

Nga Ayhan Demir

Koha evoluon dhe çdo gjë ndryshon, madje edhe mënyra e përcjelljes së lajmit dhe ajo e perceptimit të tij nga lexuesi, por një gjë mbetet e pa ndryshueshme, ajo e ndikimit të medias tek shoqëria. Jo vetëm që mbetet e pa ndryshueshme, por sa vjen dhe shtohet. Si rrjedhojë edhe gazetari, redaktori dhe aq më tepër kolumnistët dhe analistët kanë një peshë të madhe dhe rëndësi të veçantë pasi janë ata që në një farë mënyrë i japin drejtim shoqërisë me ato që thonë dhe shkruajnë.

Për këtë arsye më shumë se çdo kush tjetër në shoqëri, gazetari, kolumnisti, analisti apo çdo punonjës i mediave duhet të jetë i kujdesshëm për atë që shkruan dhe ofron për masën e gjerë, si dhe duhet të jetë i vetëdijshëm për ndikimin. Nga ana tjetër krahas demokracisë së gjerë që media duhet të ketë, nuk duhet të harrojë se kufijtë e saj mbarojnë atje ku cenohen ato të shoqërisë dhe pse jo vendit ku ai jeton, në mënyrë që të mos ndikojë negativisht as në mbarëvajtjen e të ardhmes edhe të shtetit të tij.

I radhita të gjitha këto për të ardhur në një temë më konkrete. Pas deportimit të 6 personave nga Kosova drejt Turqisë, të akuzuar si pjesëtarë të organizatës terroriste FETO, e gjithë media vendase dhe ajo rajonale nisën të diskutonin dhe të sillnin në rendin e ditës këtë ngjarje në mënyrë të shpeshtë. Deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe pasi analistët dhe njerëzit e shkrimit në fund të fundit për këtë gjë janë, por ajo që është më e çuditshme janë reagimet dhe insistimi i shumë analistëve dhe mediave në këtë drejtim.

Le të citojmë vetëm disa raste: Berat Buzhala i cili as që nuk do t’ja dijë për muslimanët e Kosovës (99 % e popullsisë) vetëm për shkak të urrejtjes që ka ndaj Erdoğanit derdhi lot për anëtarët e akuzuar si pjesëtarë të FETO-s, duke treguar kështu hapur dashurinë ndaj kësaj organizate. Nga ana tjetër ironia dhe buzëqeshja fallco e tij gjatë programit të Ylli Rakipit (Të Paekspozuarit), tregoi edhe njëherë qartë se ai jo vetëm që urren Erdoğanin, por mbron FETO-n si armë kundër tij.

Mesa duket frika e deportimit i ka kaluar kufijtë e Kosovës dhe në Shqipëri është shumë e pranishme. Një tregues i qartë për këtë janë programet e shumta televizive dhe shkrimet e publikuara në këtë drejtim. Ndër to do të përmendja emisionin Arena të Dritan Hilës, një emision pothuajse asnjanës, por në të cilin spikati një njeri që veten e quan analist-shkrimtar. Një person në këtë program jo vetëm që humbi aftësinë e analizimit real të situatës, por tregoi qartë që ai mbron me çdo kusht FETO-n dhe është një militant i zjarrtë i organizatës. Më shumë se fakti i ulët i ofendimit të një drejtuesi shteti që është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe nga populli më habit një prani e këtij pseudo analisti në më shumë se një program. Megjithatë më shumë e ulët është kur sheh njerëz që vënë në peshoren e pazareve një organizatë të errët përballë marrëdhënieve të dy shteteve.

Pozicionimi i Ilva Tares normalisht që nuk është surprizë edhe duke llogaritur që ajo solli disa herë në vëmendjen e publikut çështjen e deportimit të personave nga Kosova me frikën se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në Shqipëri, por i çuditshëm është fakti se raste të tilla në vendet e Ballkanit kanë ndodhur plot, por nuk janë diskutuar kaq shumë edhe nga persona si Ilva Tare. Natyrshëm na lind pyetja: Çfarë e shtyu Ilvën për të patur kaq interes ndaj kësaj teme? Urrejtja ndaj Erdoğanit apo dashuria ndaj FETO-s?

Kur është fjala për dashurinë ndaj gylenistëve ka edhe nga ata që e thonë hapur si Ylli Rakipi. Në programin e tij ‘Të Paekspozuarit’ ai nuk nguroi të ndërpresë disa herë të ftuarit që dilnin kundër dhe të japë përparësi atyre që thurnin lozha ndaj gylenistëve dhe përhapnin urrejtje ndaj Erdoğanit. Në programin e lançuar si harmoni e mbrojtjes së gylenistëve me opozitën ndaj qeverisë, kishte edhe analistë specialistë të cilët ranë preh e parave të marra nga reklamat e një organizate okulte, duke hedhur mënjanë profesionalizmin dhe duke përqafuar të ardhurat.

Krahas këtyre programeve dhe një propagande sistematike që po lançohet edhe në media të cilat edhe të regjistruara nuk figurojnë, ka edhe kolumnistë të cilët marrin guximin të vënë në pah peshën e pendës së tyre për të ndikuar në këtë çështje. Për shembull; Mentor Kikia-n e ka zënë halli se gjoja muslimanët janë përballë një rreziku të ndarjes në Erdoğanistë dhe Gylenistë. Të gjitha këto tregojnë faktin se shumë njerëz që marrin përsipër përdhosjen e marrëdhënieve Shqipëri -Turqi dhe ngritjen lart të figurës së Gylenit nuk e njohin fare realitetin në Turqi. Ndërkohë krahas urrejtjes ndaj Erdoğanit dhe dashurisë ndaj FETO-s duket se ka edhe një element që i shtyn këta njerëz që rreshtat e tyre për ndriçimin e shoqërisë të hedhin mllef dhe baltë ndaj Turqisë dhe ajo është fuqia e parasë dhe pushtetit të grupeve të caktuara në vendin tonë./ frekeuenca

OPINIONE

INTERVISTA