Ushtria amerikane kthehet në bazën në jug të qytetit Ain al-Arab

Ushtria amerikane e cila gjatë operacionit “Burimi i Paqes” kishte braktisur bazën në jug të qytetit Ain al-Arab në afërsi të kufirit Siri-Turqi, sërish ka hyrë në punimet e ndërtimit të bazës.

Rreth 50 automjete të blinduara të ushtrisë amerikane dhe shumë mauna me tabela të regjistrimit të Irakut kanë arritur në qytezën Sirrin në jug të Ain al-Arab nëpërmjet autostradës M4.

Automjetet arritën në rajonin ku ishte ish-baza dhe këtu u vendosën.

Ushtarët amerikanë filluan punimet për rindërtimin e bazës të cilën më parë e zbrazën dhe e shkatërruan.

AA dje kishte njoftuar se një numër i vogël i ushtarëve amerikanë kanë arritur në rajonin Sirrin.

SHBA kishte baza në Sirrin dhe përreth, në largësi prej 30 kilometra nga kufiri i Turqisë. Gjatë operacionit “Burimi i Paqes” SHBA i kishte zbrazur këto baza.

Ushtria amerikane sot gjithashtu sërish filloi patrullimet në zonën e naftës në verilindje të Sirisë, të cilat i kishte ndërprerë gjatë operacionit.

Operacioni “Burimi i Paqes”, i nisur më 9 tetor, synon të eliminojë elementet terroriste të YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat në mënyrë që të sigurojë kufijtë e Turqisë, të ndihmojë kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.

Më 22 tetor, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, zhvilluan një takim në qytetin rus Soçi.

Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas së cilës terroristët e YPG/PKK-së brenda 150 orëve të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë veriore, ndërsa forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta atje.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne