Ushtria turke futet në Idlib të Sirisë

Një ekip i vogël zbulues i ushtrisë turke thuhet se ka kaluar kufirin në provincën veriperëndimore të Sirisë, Idlib, para një vendosjeje të planifikuar të forcave të ushtrisë së Lirë siriane(FSA) të përkrahur nga Ankaraja.

Një zyrtar i lartë i FSA, duke folur në kushte anonimiteti, lajmëroi të dielën, një ditë pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se një operacion i madh ushtarak i kryer nga grupi i armatosur i opozitës dhe i mbështetur nga ushtria turke sapo kishte filluar të çlironte, zonat e mbajtura nga terroristët takfiristë të grupit Tahrir al-Sham në Idlib. Grupi terrorist Tahrir al-Sham kryesohet nga një degë e al-Kaidës e njohur si Fronti al-Nusra, i cili e ndryshoi emrin e vet në Jabhat Fateh al-Sham vitin e kaluar dhe ka zaptuar tashmë shumicën e Idlibit në rajonet veriore të Sirisë. Ndërkohë, raportet thonë se ushtria turke, duke përdorur artilerinë e vendosur në kufi, bombardoi më parë gjatë ditës pozicionet e mbajtura nga Tahrir al-Sham për të hapur rrugën që forcat e FSA të përparonin në krahinën e paqëndrueshme. Sipas një anëtari të grupit FSA, granatimet turke erdhën pasi militantët e Tahrir al-Sham qëlluan një raketë përtej kufirit. I ashtuquajturi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se predhat turke ranë në afërsi të një kampi të caktuar për njerëzit e zhvendosur përgjatë kufirit, duke përhapur panik por duke mos shkaktuar viktima. Operacioni i nisur nga Turqia konsiderohet si një shtytje e fortë për krijimin e zonës së katërt të reduktimit të tensionit që do të ngrihet në Idlib. Muajin e kaluar, Moska, Teherani dhe Ankaraja ranë dakord mbi detajet e zonës së sigurtë në provincën Idlib, e cila ndodhet në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë. Kryeministri turk Binali Yildirim të dielën tha se Ankaraja po bashkëpunonte me Moskën në ofensivën e vazhdueshme në Idlib, duke shtuar: “Ne do të garantojmë sigurinë në Idlib”. Arsyeja kryesore e pranisë së Turqisë në Idlib, është afërsia e kësaj province me Turqinë. Po ashtu Idlibi ka rëndësi strategjike të dyfishtë, sepse është një nyjë e rëndësishme lidhëse e rrugëve strategjike që lidhin Damaskun me Alepon dhe Alepon me Latakian. Prandaj, që nga fillimi i krizës siriane, rëndësia e provincës së Idlibit është bërë shkak që shumë palë të përqendrojnë vëmendjen në këtë provincë. Për këtë arsye, që nga fillimi i krizës siriane, forcat turke të sigurisë kanë qenë vazhdimisht të pranishme në Idlib për të ndihmuar forcat e kontrolluara prej tyre në këtë rajon. Edhe pse qeveria e Damaskut është skeptike për praninë e policisë dhe trupave turke në Siri, Turqia, Irani dhe Rusia kanë theksuar se krijimi i zonave të reduktimit të tensionit në asnjë rrethanë nuk do të dëmtojë sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne