Nga Abu Ismaili
Kujtdo që ngrohet sot në diell te Plazhi i Vogël në Ulqin, vështirë se i shkon ndër mend se ndodhet në një nga vendet më misterioze të historisë së feve. Këtu, ku deti rreh muret e Qytetit të Vjetër, Sabataj Zvi, mesia i vetëshpallur i hebrenjve, kaloi vitet e fundit të jetës, i dëbuar nga autoritetet osmane.
Pasi u konvertua në Islam në vitin 1666, nën trysninë dhe kërcënimin e sulltanit, ai vazhdoi fshehurazi të kryente ritualet e tij kabalistike. Dënimi erdhi në vitin 1673, kur e dërguan në internim në Kalanë e Ulqinit. Pas vdekjes së tij, në shtator të vitit 1676, nisi një histori fshehtësie që zgjati me shekuj, e shoqëruar me rrëfime mistike që edhe sot mbeten të pazbërthyera.
Në veprën e tij Sabataj Zvi: Mesia mistik, historiani i njohur i feve, Gershom Scholem, trajton misterin që rrethon varrin e mesias së vetëshpallur. Rrëfimi mbështetet në dokumente të kohës dhe në kronikat e fshehta të dönmeve, ndjekësve të Zvit që përqafuan Islamin, duke ruajtur fshehurazi besime dhe praktika të traditës së tyre të mëparshme.
Emri mysliman. Meqë Zvi vdiq zyrtarisht si mysliman, thuhet se u varros me emrin Aziz Mehmed Efendi, sipas riteve islame. Sipas këtij rrëfimi, fshehja e identitetit të tij synonte ta mbronte varrin nga kundërshtarët hebrenj që e dënonin si heretik.
Misteri i tyrbes. Edhe sot, varri i tij lidhet me një tyrbe private pranë Plazhit të Vogël, e njohur si tyrbja e një dervishi me emrin Murat Dadaj. Sipas interpretimit të paraqitur këtu, kjo ndërthurje identitetesh shërbente si një maskim i përsosur: për autoritetet osmane ishte varri i një myslimani, ndërsa për pelegrinët e fshehtë të dönmeve, që vinin nga Selaniku, ishte vendi ku prehej mesia i tyre.
Dëshira për të parë detin. Një tjetër rrëfim, që i atribuohet Scholemit, thotë se Sabataj Zvi, para se të vdiste, kishte kërkuar të varrosej pranë detit. Arsyeja paraqitet si mistike: ai dëshironte që ndjekësit e tij, kur të vizitonin varrin, të kishin një pamje të hapur drejt detit të gjerë, të lidhur në këtë rrëfim me pafundësinë hyjnore, Ein Sof.
Fshehtësia rreth varrit merr edhe një përmasë teologjike në rrëfimet e ndjekësve të tij, të cilët kërkonin ta mbanin gjallë kultin.
Paradoksi i varrit të zbrazët. Disa ndjekës nuk pranonin të besonin se ai kishte vdekur. Ata përhapën bindjen se tyrbja pranë Plazhit të Vogël ishte e zbrazët dhe se varri ishte vetëm një dukje për jobesimtarët, sepse mesia ishte ngritur trupërisht në qiell dhe priste kohën e rikthimit.
Dritat misterioze të Jom Kipurit. Sipas rrëfimeve mistike, shpirti i mesias vazhdonte të ishte i pranishëm pranë varrit të tij. Peshkatarët e Ulqinit thuhet se tregonin për drita të gjelbra e të bardha që shfaqeshin mbi gji dhe mbi tyrbe gjatë disa netëve të vjeshtës, të lidhura me Jom Kipurin dhe përvjetorin e vdekjes së Zvit. Sipas këtyre tregimeve, në ajër dëgjoheshin edhe jehona këngësh rituale.
Përtej dokumenteve të shkruara, tradita gojore e rrugicave të Kalasë së Ulqinit shkon edhe më tej. Këtu historia ndërthuret me frikën dhe legjendat e vjetra. Sipas rrëfimeve vendase, një mallkim i rëndë e godet këdo që cenon tyrben ose përpiqet t’ia zbulojë të fshehtat me qëllim përdhosjen e saj.
Shtëpia e djegur e zjarrvënësit. Thuhet se një njeri, duke synuar shkatërrimin e tyrbes, i vuri zjarrin hapësirës përreth saj. Tyrbja nuk pësoi dëme, por pak kohë më vonë shtëpia e tij mori flakë pa ndonjë shkak të dukshëm dhe u bë shkrumb e hi.
Një tjetër legjendë thotë se ata që u përpoqën të hiqnin gurë nga tyrbja ose ta dëmtonin atë, humbën arsyen. Sipas tregimeve, këta njerëz humbnin vetëdijen, shqiptonin fjalë të pakuptueshme dhe përfundonin në spitale psikiatrike, pa u shëruar më.
Pleqtë rrëfenin gjithashtu se ata që kërkonin të depërtonin në të fshehtat e varrit për të fyer ose poshtëruar të ndjerin, fillonin të shihnin makthe. Sipas kësaj legjende, prania e shpirtit të mistikut i mundonte aq shumë, sa disa prej tyre i jepnin fund jetës nga dëshpërimi.
Paqartësinë që rrethon këtë vend e pasqyron edhe një rrëfim krejt tjetër, i pranishëm në traditën shqiptare dhe islame të qytetit. Këtë traditë e ka trajtuar edhe publicisti Mustafa Canka, ndër të tjera në portalin Ul-info.
Sipas këtij rrëfimi vendas, në tyrben pranë Plazhit të Vogël nuk prehet një mistik hebre, por dy sufinj të nderuar. Për mbështetësit e kësaj tradite, vendi është një monument i qëndresës dhe i mbrojtjes së qytetit.
Legjenda thotë se këta dy njerëz të shenjtë e shpëtuan Ulqinin në një kohë të vështirë, kur qyteti sulmohej nga ushtria e Republikës së Venedikut. Me trimërinë dhe mrekullitë e tyre shpirtërore, ata i zmbrapsën sulmuesit. Në nderim të kësaj vepre, u varrosën pranë bregut, për të mbetur roje të përjetshme të Plazhit të Vogël dhe për ta mbrojtur qytetin nga rreziqet që vinin prej detit.
Kështu, e njëjta tyrbe mbart dy identitete në rrëfime të ndryshme: për ata që e lidhin me Sabataj Zvin, ajo është vendprehja e fshehtë e mesias së tyre; për ndjekësit e traditës vendase, është varri i dy dervishëve që mbrojtën qytetin.
Rrëfimet e paraqitura këtu nuk japin një përgjigje përfundimtare se kush prehet në atë tyrbe të vogël. Kur të shëtitni sërish përgjatë mureve të Kalasë së Ulqinit, të shihni Kullën e Balshajve, të lidhur me qëndrimin e Sabataj Zvit, apo të soditni detin e gjerë, kujtoni se ndodheni në një vend ku historia dhe misteri ndërthuren prej rreth 350 vjetësh.
Shënim mbi burimet
Referencat historike dhe rrëfimet e dönmeve në këtë shkrim i atribuohen veprës së Gershom Scholemit, Sabbatai Zwi: Der mystische Messias, kapitulli VIII, f. 970–1008.
Tregimet për mallkimet paraqiten si pjesë e folklorit të Ulqinit. Historia e dy sufinjve që luftuan kundër venedikasve mbështetet në shkrimet dhe hulumtimet e Mustafa Cankës, ndër të tjera në portalin Ul-info.
Për një shkrim tjetër mbi këtë temë, shihni: «Ulqini, porta e Baalit, princit të ferrit».

















