Vazhdon dhuna në Birmani, rreth 400 muslimanë të vrarë në një javë

Rreth 370 kryengritës Rohingya dhe 13 forca të sigurisë kanë vdekur në luftimet që kanë përfshirë pjesën veriperëndimore të Birmanisë, javën e fundit, bëri të ditur ushtria e këtij vendi.

Kombet e Bashkuara, në anën tjetër, njoftuan për rreth 40,000 myslimanë Rohingya që kanë kaluar kufirin nga Birmania në Bangladesh.

Dhuna ka shpërthyer pasi kryengritësit Rohingya kanë sulmuar disa stacione policore të premten e kaluar, duke nxitur më pas reagimin e ushtrisë birmaneze.

Ushtria thotë se po kryen operacione pastrimi kundër “terroristëve ekstremistë” dhe se forcat e sigurisë janë udhëzuar të mbrojnë civilët.

Por, myslimanët që kanë ikur në Bangladesh, thonë se janë detyruar të largohen për shkak të vrasjeve dhe zjarrvënieve.

Kryengritësit Rohingya janë shfaqur për herë të parë në tetor të vitit 2016, kur kanë kryer sulme të ngjashme kundër policisë.

Edhe atëherë ka pasur ikje masive të myslimanëve.

Trajtimi i 1.1 milion myslimanëve Rohingya është sfida më e madhe me të cilën po përballet udhëheqësja kombëtare, Aung San Suu Kyi.

Disa kritikë perëndimorë thonë se Suu Kyi nuk e ka mbështetur këtë pakicë, e cila për kohë të gjatë ankohet për persekutim./REL/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne