Vazhdon sulmi ndaj besimtarëve orthodhoksë në Ukrainë

Vazhdojnë të vijnë njoftime të rregullta për zaptimin e tempujve të Kishës Orthodhokse Ukrainase (KOU), e cila mbetet kisha e vetme kanonike orthodhokse në këtë vend. Që nga fillimi i këtij viti më shumë se 30 raste të tilla janë regjistruar në 11 rajone të Ukrainës. Në këto akte të dhunshme marrin pjesë në mënyrë aktive organizata të ndryshme nacionaliste dhe radikale të ekstremit të djathtë. Në prani të përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe të policisë, militantët e këtyre organizatave shpërthejnë çdo gjë që ka lidhje me objekte kishtare, ndryshojnë bravat në dyer e porta, ndërsa priftërinjtë dhe besimtarët i flakin në rrugë.

Si rezultat, besimtarët janë të detyruar t’i zhvillojnë shërbesat nën qiell të hapur. Kjo nuk mund të quhet ndryshe veçse tallje. Faktikisht, nga regjimi i Kievit, i cili glorifikon në çdo cep veprat antinjerëzore të kriminelëve si Stepan Bandera apo Roman Shuheviç, nuk mund të pritet ndonjë qëndrim tjetër ndaj bashkëqytetarëve.

Për më tepër, kohët e fundit janë shtuar rastet e “bisedave profilaktike” të përfaqësuesve të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës me priftërinjtë e KOU-së. Këtyre të fundit u kërkohet t’i bashkohen “vullnetarisht” “Kishës Orthodhokse të Ukrainës” që është një kishë skizmatike e krijuar pak kohë më parë me urdhër të Presidentit ukrainas Pjotr Poroshenko dhe me mbështetjen e SHBA-ve dhe Patriarkut të Kostandinopojës.

Çdo përpjekje e klerikëve të KOU-së për t’i treguar botës të vërtetën mbi përndjekjet kundër kishës kanonike shkakton te autoritetet ukrainase një reagim të ashpër. Ja një nga shembujt: më datë 13 shkurt 2019, pas kthimit nga SHBA në aeroportin e Kievit u ndalua dhe më pas u dëbua jashtë vendit shtetasi i Ukrainës, vikari i Mitropolisë së Kievit të KOU-së, kujdestari i Manastirit “Desjatinni” në Kiev, Episkopi Gedeon Makarovski (Haron). “Faji i tij përpara atdheut” qëndronte në faktin se ai guxoi t’i shkruante Sekretarit të Shtetit Amerikan Mike Pompeo mbi situatën fetare në Ukrainë, si edhe zhvilloi një sërë takimesh në Kongres lidhur me këtë çështje.

Shpresojmë se asgjë e keqe nuk do t’i ndodhë një prifti tjetër të KOU-së, kreut të Përfaqësisë së KOU-së pranë organizatave ndërkombëtare evropiane, Episkopit të Basrishevka-s Viktor (Kocaba), i cili më datë 18 shkurt publikoi në portalin informativ të KOU-së një letër të hapur drejtuar zyrtarëve të OKB-së, OSBE-së, BE-së dhe shteteve të huaja mbi faktet e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut në Ukrainë dhe mbi rrezikun real të përshkallëzimit të konflikteve fetare. Në këtë dokument theksohet se “përndjekjet kundër të krishterëve nuk kanë kaluar kurrë pa gjurmë për pushtetarët, që i kanë kryer ato, pasi e dimë që Perëndia nuk fyhet dot”.

Në mars 2019 u publikua raporti i radhës i Misionit Monitorues të OKB-së për të drejtat e njeriut në Ukrainë. Në veçanti, Misioni përmend rastet e dokumentuara të intimidimit të klerikëve të KOU-së. Ekspertët tregojnë për karakterin diskriminues të vendimit për ndryshimin e detyruar të emrit të organizatave fetare që kanë lidhje me qendra fetare në Rusi. Në raport vërehet gjithashtu se OKB-ja ka marrë një sërë ankesash për përfshirjen me forcë të komuniteteve fetare në përbërje të kishës së re “autoqefale” të Ukrainës. Pala ruse i konsideron këto veprime flagrante të autoriteteve të Kievit si një shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive fetare në Ukrainë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne