“Vdekja e Akif Emre, humbje e madhe për muslimanët e Ballkanit”

Miq dhe dashamirë të shkrimtarit dhe publicistit turk Akif Emre, i cili dje ndërroi jetë si pasojë e një sulmi kardiak, kanë rrëfyer për të dhe veprën e tij me fjalë miradije, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Shtëpisë Botuese Logos-A në Shkup, Prof. Dr. Adnan Ismaili, për AA theksoi se vdekja e Emre është një humbje e madhe për muslimanët e Ballkanit.

Ismaili tregoi se me Akif Emre kishte një miqësi që ka zgjatur 30-35 vite.

“Shtëpia e Akifit në Fatih të Stambollit në pjesën e parë të viteve të 80-ta ishte si një qendër këshillimesh. Ndodhte që vetëm për një këshillë, t’i hipnim autobusit dhe të shkonim deri në Stamboll që të takoheshim me të. Meqë merrem me botime, këshilloheshim me të lidhur me librat që do t’i përkthenim në gjuhën shqipe. Qysh para 20 vitesh e pata thirrur ta pyes për librat e Fethullah Gylenit, ndërsa ai më paralajmëroi të qëndroj larg tyre dhe të qëndrojmë të pastër. Për këtë arsye, ato libra nuk i kishim botuar. Akifi ishte njeri parimor dhe i sinqertë”, rrëfeu Ismaili, duke shtuar se mendimet e Akifit u kanë dhënë siguri dhe se fjala e tij lidhur me ndonjë çështje i ka orentuar në vepra lidhur me të.

Më tej, Adnan Ismaili theksoi se gjatë periudhës së komunizmit kanë shëtitur vendet e Ballkanit së bashku.

“Së bashku shkuam për ta realizuar reportazhin e parë me të ndjerin Alija Izetbegoviç. Akifi Emre ka dhënë kontribut të madh që lëvizja dhe organizimet islame në Shqipëri dhe rajon të mos radikalizohen, të jenë parimor dhe të pakompromis principet e tyre. Së fundmi ne u takuam para dhjetë ditëve në zyrën e tij në të cilën ndërroi jetë. Ne kemi përkthyer në gjuhën shqipe dokomentarët e tij lidhur me Ballkanin dhe Andaluzinë dhe në muajin e Ramazanit do t’i transmetojmë në televizione. E pata ftuar të vinte në Maqedoni dhe kishim rënë dakord që të organizonim program pas Ramazanit”, tha Ismaili.

“Akif Emre, njeri i kauzës”

Ndërkaq, akademiku dhe shkrimtari Levent Baştürk, duke theksuar se kanë humbur një vlerë të rëndësishme me vdekjen e Emre, tha se është e vështirë të gjenden fjalë për ta përshkruar atë.

“Ai ishte një njeri i kauzës. Ishte njeri i ngrohtë që i adresohej edhe zemrave, edhe mendjeve”, tha Baştürk, duke u lutur që Zoti ta shpërblejë me parajsë.

Në ndërkohë, shkrimtari Cihan Aktaş potencoi se Emre ka qenë një gazetar i sinqertë dhe parimor dhe se është shembull në këtë fushë.

“Ai synonte një gjuhë mediatike që tregon kujdes në mbrojtjen e drejtësisë dhe dëshmisë dhe pa dyshim ishte shembull në këtë drejtim. Ai shfaqi një publicistikë cilësore me ato mundësi jo aq të gjera që i posedonte. Ai asnjëherë nuk u dha hapësirë shprehjeve provokuese dhe ekzagjeruese dhe shprehjeve që nxisin konflikte dhe armiqësi”, tha Aktaş, duke e cilësuar Emren si njeri bujar, të hareshëm dhe të dhënë pas dijes.

Edhe regjisori Semih Kaplanoğlu, vuri në dukje se Emre ishte një nga mendimtarët që Turqia ka prodhuar në periudhën e afërt.

“Do të ndiejmë një mungesë të madhe në jetën tonë. Do t’i shqyrtojmë herë pas here gjërat që ka bërë teksa ishte gjallë. Do të doja sikur të kaloja më shumë kohë me të, por caktimi ishte i tillë”, tha Kaplanoğlu.

Akademikja Alev Erkilet, ndërkohë, theksoi se ndien pikëllim të madh me vdekjen e Akif Emre dhe se vdekja e tij është humbje e një vlere të rëndësishme.

“Ai tregoi kujdes të veçantë lidhur me vendet muslimane”

Hamit Kardaş, drejtori editorial i faqes Haberiyat.com, potencoi se Akif Emre ka treguar kujdes të veçantë për vendet e shtypura muslimane.

“Ai tregoi kujdes të veçantë për vendet e shtypura muslimane, siç janë Palestina, Kashmiri, Turkistani Lindor, Ballkani dhe Arakani. Me opinioni turk ai ndau jo vetëm dhimbjet e vendeve muslimane, por edhe stilin e jetës së tyre, kulturat dhe rrëfimet e tjera”, tha Kardaş.

Ndryshe, shkrimtari dhe publicisti Akif Emre ndërroi jetë ditën e djeshme në zyrën e tij në Stamboll, si pasojë e një sulmi kardiak.

Ndër të tjera, Akif Emre njihet edhe për interesin që ka treguar ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit. Vitin e kaluar ai ka botuar librin “Çizgisiz defter” (Fletorja pa vija), i cili është në përgatitje të botohet edhe në gjuhën shqipe.

Autori aty flet për qytetet e Ballkanit, për Andaluzinë, Bagdadin dhe të tjera. Akif Emre një pjesë të këtij libri e titullon “Ramazani në Shkup”, ku flet për momentet e këndshme të Ramazanit në lagjen e Gazi Babës dhe ezanet e Çarshisë së Shkupit.

Krahas kësaj, libri tjetër i Akif Emre, “Gjurmë”, është i përkthyer në gjuhën shqipe.

Po ashtu, Akif Emre ka përgatitur edhe shumë dokumentarë lidhur me qytete të ndryshme të trashëgimisë kulturore osmane, siç janë Shkupi, Sarajeva, Mostari dhe Selaniku./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne