‘Veliera’, Apeli pezullon punimet në zonën arkeologjike A, shtohet ritmi i punës në pjesën tjetër

Edhe Gjykata  e Apelit në Durrës, ka vijuar të mbajë të njëjtin qëndrim ashtu sikurse ajo e Shkallës së Parë, për punimet në sheshin “Veliera”.

Kjo gjykatë ka vendosur që në pjesën e sipërme të rrugës e cila përkon me zonën arkeologjike A, të mos zhvillohet asnjë punim për ndërtimin e sheshit.

Mirela Jorgo përfaqësuese e shoqërisë civile, në një deklaratë për mediat nga dera e Prokurorisë së Durrësit, bëri apel që zona arkeologjike të mbrohet dhe prokuroria të vërë para përgjegjësisë penale ata që kanë shkelur ligjin mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike.

Zonja Jorgo apeloi për vijimin e gërmimeve arkeologjike në të gjithë hapësirën ku me vendim gjykate janë bllokuar punimet nga objekti i Torrës Veneciane deri tek hyrja e komplekit “FLY”.

Në këtë sipërfaqe sipas saj duhet të kryhen gërmime arkeologjike dhe e gjithë zona të vendoset në shërbim të gërmimeve.

Aktualisht punimet në sheshin “Veliera” janë duke vijuar me ritme të shpejta në pjesën para hyrjes së portit detar dhe në rrugën nacionale ku po ndërtohet tuneli nëntokësor. Punimet nëntokësore tashmë janë mbyllur dhe po vijojnë me punimet mbi tokë.

Pavarësisht se ky projekt madhor për qytetin e Durrësit ka hasur në shumë kundërshti nga ana e shoqërisë civile, punimet kanë vijuar me intensitet të lartë në pjesën më të madhe të sheshit./portali durres

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne