Rajoni

Vendimi/ Kosova hap ambasadën në Jeruzalem

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës këtë të dielë ka njoftuar hapjen e ambasadës së Kosovës në Izrael me seli në Jeruzalem. Ky është një vendim që është marrë në kuadër të marrëveshjes së arritur në Washington në shtator të vitit të kaluar.

Ndër të tjera përmes një njoftimi për mediat MPJD ka njoftuar se gjatë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 1 shkurt të vitit 2021, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kishte bërë zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jeruzalem.

Njoftimi i plotë:

Bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe Zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jeruzalem.

Gjatë ceremonisë së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më datën 1 shkurt 2021, Ministri i Jashtëm i Shtetit të Izraelit, z. Gabriel Ashkenazi bëri zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jeruzalem.

Në pamundësi për të qenë prezentë në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.

Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem./tpz