Bashkimi Europian u ka bërë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Thirrja nga Brukseli vjen pak ditë para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë dhe në ditën kur në Prishtinë pritet të zhvillohet një marsh paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Në një përgjigje për “Express”, BE ka theksuar se pret që vendimi i gjykatës të respektohet, duke nënvizuar njëkohësisht mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara si një institucion gjyqësor të pavarur. “Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Brukseli rikujton se Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, ndërsa procedurat u zhvendosën në Hagë me synimin për të garantuar procese gjyqësore të pavarura, të paanshme dhe të drejta lidhur me pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
BE: Procesi nuk përfundon me vendimin e 16 shtatorit
Bashkimi Europian ka bërë të qartë se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përbën fundin e procesit gjyqësor. Sipas Brukselit, vendimi mund të ankimohet si nga mbrojtja, ashtu edhe nga Prokuroria e Specializuar. “Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”, thekson BE-ja. Në përfundim, Brukseli vlerëson se puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për promovimin e llogaridhënies dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

















