Venezuelë, do t’u hiqet imuniteti deputetëve pjesëmarrës në përpjekjen për grusht shteti

Në Venezuelë do t’u hiqet imuniteti deputetëve të opozitës nga Asambleja Kombëtare (AN), të cilët morën pjesë në përpjekjen për grusht shteti që dështoi më 30 prill, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave lokale, kryetari i Asamblesë Kushtetuese (ANC) Diosdado Cabello ka deklaruar se vazhdojnë procedimet gjyqësore kundër deputetëve të AN, të cilët morën pjesë në përpjekjen e dështuar për grusht shteti të kryetarit të AN, Juan Guaido, i cili ka shpallur veten si president të përkohshëm të Venezuelës.

Cabello tha se në ANC kanë filluar të vijnë kërkesat që Kryeprokuroria e Venezuelës ka paraqitur për heqjen e imunitetit të deputetëve.

Ai tha se ata do të votojnë “pro” kërkesave të Prokurorisë gjatë votimit në ANC, Cabello tha se “Natyrisht, ne do të ngremë dorën tonë në ANC për të hequr imunitetin e atyre që janë përfshirë në këtë përpjekje”.

Në Venezuelë, e cila ndodhet në një krizë të madhe politike që prej disa muajsh, opozita tentoi të kryejë një grusht shtet në orët e para të 30 prillit.

Guaido dhe Leopoldo Lopez i cili ka shkelur arrestin shtëpiak pasi mbërritën në urën Altamira përballë bazës ajrore La Carlota, bashkë me një grup ushtarakësh tentuan të rrëzojnë presidentin Nicolas Maduro dhe i bënë thirrje popullit për të dalë në rrugë. Pas kësaj thirrjeje opozitarët dolën në rrugët e shumë qyteteve të vendit ndërsa më pas protestat u shndërruan në akte dhune kryesisht përreth La Carlota në Caracas.

Meqë edhe mbështetësit e Maduros u mblodhën përreth rezidencës Miraflores, Lopez fillimisht u strehua në ambasadën e Kilit dhe më pas në atë spanjolle ndërsa Guaido u shfaq në një video-mesazh dhe i bëri thirrje popullit sërish të dalë në rrugë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne