Deputeti izraelit e konsideron të pamjaftueshme masakrën në Gaza

Bezalel Smotrich, deputeti i Partisë së Djathtë të Bashkuar në Izrael, subjekt politik i së djathtës ekstreme, e ka konsideruar të ulët numrin e palestinezëve të rënë dëshmorë si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

I njohur me diskursin e urrjejtjes kundër palestinezëve, Smotrich ka shkruar në Twitter se në sulmet e të shtunës dhe të dielës në Gaza duhej të vriteshin 700 palestinezë.

“Konflikti në Gaza duhej të përfundonte pasi të vriteshin 700 terroristë (nga një për çdo raketë të hedhur drejt Izraelit) dhe pasi të dëmtohej në masë të madhe Hamasi. Në këtë mënyrë, rikuperimi i Hamasit mund të zgjaste me vite dhe do të mendonte para se të sulmonte Izraelin”, ka thënë Smotrich.

Sipas shifrave zyrtare palestineze, 25 persona kanë rënë dëshmorë dhe më shumë se 100 janë plagosur në Rripin e Gazës si rezultat i sulmeve të ushtrisë izraelite nga dita e shtunë.

Tensionet e fundit në Gaza u rritën pasi dy ushtarë izraelitë u plagosën me snajper të premten, me çka Izraeli ndërmori sulme ndaj vendbanimeve civile, kurse nga Gaza u realizuan kundërpërgjigje me raketa.

Katër persona humbën jetën në anën izraelite si pasojë e raketave të hedhura nga Gaza.

Izraeli të shtunën nisi një operacion ajror me avionë luftarakë, duke cituar si arsye raketat e hedhura nga Rripi i Gazës.

Në mesin e shumë ndërtesave të goditura nga ushtria izraelite ishte edhe zyra e Anadolu Agency në Gaza.

Ushtria izraelite tha se gjatë sulmeve në Gaza janë goditur 320 pika të grupeve palestineze, të cilat, sipas ushtrisë, kanë shkrepur 690 raketa./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne