Bota

Venezuelë, thirrjet e Guaidos për protesta drejt dështimit

Thirrja e presidentit të vetëshpallur të Venezuelës, Juan Guaido drejtuar mbështetësve të tij për të dalë në rrugë të shtunën në protesta për të rrëzuar udhëheqësin e zgjedhur të vendit, Nicolas Maduro pothuaj se mbeti pa përgjigje, raporton Anadolu Agency (AA).

Guaido përmes Twitter-it të premten bëri thirrje për protesta të përgjithshme për “t’i dhënë fund uzurpimit të Maduros”.

“Vazhdimi i protestave në rrugë është e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmendjen, presionin, veprimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe për t’u treguar atyre që ende mbështesin diktatorin se nuk do të ketë stabilitet për aq kohë sa vazhdon uzurpimi”, tha ai.

Thirrja e presidentit të vetëshpallur të Venezuelës, Juan Guaido drejtuar mbështetësve të tij për të dalë në rrugë të shtunën në protesta për të rrëzuar udhëheqësin e zgjedhur të vendit, Nicolas Maduro pothuaj se mbeti pa përgjigje. ( Lokman İlhan – Anadolu Agency )

Por, veprimi i Guaidos, të cilën ai e quajti si “fillimi i fazës përfundimtare të përpjekjes për të rrëzuar Maduron”, duket se nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të mjaftueshme nga populli venezuelian.

Vetëm disa grupe të vogla kundërshtare në dy pjesë të Caracasit iu përgjigjën thirrjes së fundit të Guaidos për protestë.

Protestat u mbajtën në sheshet La Casona dhe Altamira.

Në protesta nuk mori pjesë Guaido, e as deputetët.

Të martën, Guaido publikoi një video në mediat sociale ku shfaqej duke qëndruar pranë një kontigjenti të vogël të personelit ushtarak të uniformuar dhe automjeteve të blinduara, përmes së cilës ai kërkoi kryengritje për t’i dhënë fund sundimit të Maduros.

Në një shfaqje sfiduese të enjten, Maduro kaloi në rrugët e Caracasit në një marshim të rrethuar nga oficerë të lartë ushtarakë dhe i ndjekur nga 4.500 ushtarakë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Venezuela është tronditur nga protestat që nga 10 janari kur presidenti Maduro u betua për mandatin e tij të dytë pas zgjedhjeve të cilat u bojkotuan nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan kur Guaido, i cili kryesonte Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u vetëshpall president i përkohshëm më 23 janar, veprim ky i cili u mbështet nga SHBA-të dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.

Turqia, Rusia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika kanë qëndruar në mbështeje të Maduros./ AA

OPINIONE