Veseli kujton dëshmorët: Formimi i ushtrisë, çështje ditësh

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u shpreh i emocionuar gjatë inaugurimit të Kompleksit Memorial në Marinë.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit solli në vëmendje disa prej heronjve, ku shtoi se me punën e tyre për çlirimin e Kosovës treguan  dinjitet dhe trimëri.

Mes tjerash Veseli tha se formimi i ushtrisë është thjesht çështje ditësh, ndërsa nënvizoi faktin se liria në të cilën po jetojnë sot qytetarët e Kosovës, duhet të konsolidohet akoma më tej.

“Është e natyrshme që të gjithë kemi emocione në këto momente kur e kujtojmë Ilazin njërin nga themeluesit e UÇK-së por edhe Presidentin që i thanë Serbisë jo. Të përkujtosh Abedin Rexhën, është mënyrë e veçantë sepse ai tha Serbisë jo, për këtë duhet të jetë krenar e gjithë Drenica dhe Kosova. Këtu Mujë Krasniqi, gjithë ata që e njohin, ka qenë një hero i vërtetë sa ka qenë gjallë, s’ka pasur vend që nuk ka qenë ai. I tillë ka rënë edhe në altarin e lirisë, për t’i thënë jo kufirit mes shqiptarëve. Rasimi i cili poashtu ditën që u rivarros ka qenë  buzëqeshur edhe atë ditë kur ka rënë ka rënë duke buzëqeshur sepse ka qenë trim. Mirëpo, Kosova ka edhe djem të fortë të cilët kanë mbetur gjallë. Kjo është liria jonë, shteti jonë e ardhmja jonë. Nuk duhet ta lejojmë që të cenohet kjo liri, duhet të punojmë edhe më shumë, duke qëndruar përballë një fuqie e cila nuk është vetëm ushtarake por edhe diplomatike’, tha ai.

Në fund kreu i parlamentit të Kosovës nënvizoi se duhet bërë më shumë për të vijuar rrugën e konsolidimit të vendit.

“Ajo çka na duhet është të jemi të bashkuar mes vete sepse kjo është e shenjtë, kemi dhënë shumë sakrifica, duhet të punojmë edhe më shumë që të ecim përpara. Është çështje ditësh transformimi i UÇK-së në ushtri të Kosovës. Lavdi UÇK-së dhe luftëtarëve”, përfundoi Veseli.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne