Veshjet popullore prezantojnë fuqishëm kulturën e një populli

Në trevat etnike të shqiptarëve në mal të Zi, në raste kremtesh apo ditëve të tregut, të bie në sy një mozaik impresiv i veshjeve të ndryshme popullore. Këto veshje prej shekujsh kanë zgjuar interesim të madh tek studiuesit. Ata pohojnë se veshjet popullore, janë një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale. Ato janë trashëguese të shume elementeve që vijnë nga lashtësia, por janë njëkohësisht edhe shprehje e marrëdhënieve kulturore me popuj te tjerë gjatë shekujve.

Në mesin e këtyre veshjeve, Xhubleta e malësorëve të Shtojit dhe veshja atraktive e Shestaneshave, me një llabane karakteristike në krye, vazhdojnë të zgjojnë kureshtje të veçantë. Një numër të madh të veshjeve të grave prej dekadash i ruan me fanatizëm znj. Leze Lazari nga Ulqini. Ajo në një intervistë me radion Zëri i Turqisë, thotë se në këto veshje, gjyshet dhe nënat tona kanë derdhur një art të vërtetë. Ajo bën përpjekje që tradita e punës së veshjeve të ruhet dhe të vazhdojë, pasi ato janë vlerë jo vetëm për banorët tanë por edhe për mysafirët.

V. Katana:Si lindi interesimi juaj për ruajtjen dhe koleksionimin e veshjeve kombëtare te shqiptarëve në Mal të Zi?

– Xhubleta e malësorëve ka një lashtësi mbi 4000-vjeçare.

L.Lazari: Unë i përkas gjeneratës, që i kam përjetuar këto veshje, i kam parë i kam prekur, i kam veshur në atë kohë kur unë isha fëmijë. Që atëherë kjo larmi e veshjeve më ka tërhequr. Në arkën e gjysheve të mia ka qenë Xhubleta, e cila është një histori dhe sipas fjalëve të dr. prof. Afërdita Onuzit ajo ka një lashtësi mbi 400- vjeçare. Për fat të keq kjo veshje nuk punohet më andaj kjo ka qenë një nxitje për mua që ti ruaj këto veshje.

– Komuna e Ulqinit posedon një pasuri të madhe e trashëgimisë kulturore

V. Katana:Znj. Lazari, si duket mozaiku i veshjeve tradicionale të shqiptarëve në Mal të Zi, na i numëroni ato dhe të cilat ju i keni në pronësi?

L. Lazari: Komuna e Ulqinit ka një pasuri të madhe të trashëgimisë kulturore. Kjo trashëgimi i përket gjuhës, librit , folklorit por mjerisht ne nuk kemi një zyrë e cila do të merrej dhe kujdesej për trashëgiminë tonë kulturore. Ajo nuk duhet lënë në harresë. Ajo duhet të jetojë me brezat. Mirëpo pas angazhimit tim këto veshje kanë filluar të përdoren në ç’do ngjarje në ç’do manifestim. Unë kam shkuar në ç’do vend dhe në ç’do fshat për t’i gjetur dhe për t’i hulumtuar këto veshje, sepse sa fshatra ka të banuar me shqiptarë në mal të Zi, aq ka edhe veshje. Veshja ka identifikuar edhe fisin, ku ata kanë jetuar. Unë mundohem që ta ruaj dhe ta kompletoj në mënyrë sa më origjinale me qëllim që të mos tjetërsohet, por të ruaj origjinalitetin e saj. Gjithmonë apeloj të ruajmë traditën. Ne kemi xhubletën, veshja e Anës së Malit, veshja e Krajës, shestaneshës, veshja mirditore , fustanella e meshkujve, veshja bregasore, zadrimore, ajo e merrkotit etj. Pra ne kemi një mori veshjesh. Është interesant që një komunitet kaq i vogël i rrethuar me lumin, liqenin dhe detin, të posedojë një numër kaq të madh të veshjeve tradicionale kombëtare. Pra janë rreth 18 veshje kombëtare që i kemi ne këtu.

V. Katana:Sa të vjetra janë këto veshje dhe a ka ende gra të cilat i punojnë këto veshje?

L. Lazari: Me shkencë dhe me dokumente ashtu siç ka pohuar edhe etnografja Afërdita Onuzi, xhubleta ka një lashtësi 4500-vjeçare. Pas saj vjen edhe veshja e shestaneshës, pastaj vijnë me radhë të tjerat. Më e reja është veshja myslimane e gruas së Ulqinit, e cila ka ardhur me ardhjen e Turqisë e qe veshët sot e kësaj dite në Ulqin. Pra veshjet janë tepër të hershme. Përmes projekteve të ndryshme unë angazhohem që të organizojmë sa më shumë aktivitete kulturore për njohjen dhe ruajtjen e veshjeve tona tradicionale.

-Veshjet popullore të shqiptarëve në Mal të Zi posedojnë simbole të ndryshme që kanë të bëjnë me vetë jetën.

V. Katana: Në mozaikun e veshjeve të bukura dhe koloritit që posedojnë veshjet tona kombëtare, a mund të na veçoni disa nga ornamentet që kanë ato në vete.

L. Lazari: Duke u ndalur tek xhubleta, ku dallohen ornamente të shumta aty është shqiponja dykrenarëshe, është ylli, hëna, ylli me 6 cepa, gjysmë hëna, dielli, vijat, gjarpri si simbol Ilir, pra ka shumë elemente që mund të shihen me sy, por që janë të skematizuara në veshjet tona. Tek Xhubleta janë më të theksuara se tek të gjithë, sepse ç’do pjesë e simboleve ka të bëjë me vete jetën.

V. Katana:Znj. Lazari, në festivale të ndryshme shpesh herë janë dhënë dhe çmime për veshjet tona. Si korrespondojnë ato në mozaikun e veshjeve te tjera?

L: Lazari: Unë kam marrë pjesë në evente të shumta, ku xhubleta është vlerësuar lartë nga turqit, italianët, austriakët, bullgarët etj. Kostumografët i njohin karakteristikat e veshjeve. Fustanella  është veshur në Ulqin në kohën para 60 viteve, mirëpo sot neve na kanë humbur dy veshje nga trojet e Ulqinit. Unë gjithnjë do të mundohem dhe do ti sjell edhe këto dy veshje që kanë humbur.

– Veshjet tradicionale  ëlqehen nga turistët.

V. Katana:Meqë Ulqini është një qytet turistik dhe ju keni mundësi t’u prezantoni turistëve veshjet tona tradicionale. Çfarë thonë ata kur i shohin veshjet tona?

L: Lazari. Sa herë që kemi ndonjë aktivitet gjatë sezonit veror turistët ndalen për të bërë fotografi. Ata mahniten me veshjet tona dhe kërkojnë shpjegime. Kur i dëgjojnë disa të dhëna rreth karakteristikave të këtyre veshjeve, vërtetë impresionohen. Mirëpo këto veshje duhet të jetojnë bashkë me ne. Duhet të kemi sa më shumë muze etnografike, e sidomos Shtoji edhe Shasi. Po ashtu edhe Kraja që nuk i përket komunës tonë, por është trevë e banuar me shqiptarë autoktonë. Ne kemi pasuri të trashëguara materiale, kemi ndërtesa të mrekullueshme, kemi Kalanë që jeton bashkë me ne dhe që duhet të jenë në funksion të turizmit. Unë apeloj që edhe ndërtesat që janë pasuri materiale, sidomos kullat prej gurit mos të lejojmë të shkatërrohen e të zhduken, por t’i kthejmë në funksion bujtine, restorante, hotele sepse turistët sot nuk janë të prirë vetëm për hotele elitare, por duan të shijojnë edhe traditën dhe të vjetrën.

Në fund dua t’ju përshëndes të gjithëve. Ju uroj Vitin e Ri dhe shpresoj se së shpejti mund të kemi rast që edhe publikut në Turqi t’i prezantohemi me veshjet tona të bukura tradicionale. Ne kemi çfarë të prezantojmë. Është një pasuri e bukur andaj jemi të gatshëm që të jemi partnerë të ndonjë aktiviteti kulturor që do të zhvillohej në Turqi.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne