Vështrim rreth librit ”Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912”

       Av. Faik MIFTARI

Javën që shkoi përfundova së lexuari  librin me titull”Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912”, të autorit, bashkëpunëtorit shkencor në degën e historisë pran Institutit Albanologjik të Prishtinës, dr. Sadik Mehmeti, botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Autori i librit Sadik Mehmetit është i njohur  jo vetëm në opinionin publik kosovar, por edhe mbarë shqiptar,  si një hulumtues dhe studiues i zellshëm i cili mbi dy dekada merret me hulumtime dhe studime shkencore. Ka punuar afër 20 vjet në Arkivin e Kosovës(1999-2018), e prej vitit 2018 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinë si bashkëpunëtor shkencor në degën e historisë. Është autor i shumë punimeve shkencore të botuara në revistat e ndryshme shkencore, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë Kosovës, si dhe autor i dhjetë  librave nga fusha e historiografisë dhe arkivistikës.

Lexuesve  shqiptar në përgjithësi, e veçanërisht mësuesve, arsimtarëve, profesorëve si dhe të gjithë të tjerëve që merren me fushën e studimit të arsimit në Kosovë, do të preferoja këtë libër për lexim, pasi që do të mund të njihen, të përmbledhur në një libër të këtillë, për shkollat ekzistuese dhe arsimin gjatë periudhës kohore1830-1912 në Kosovë.

Në këtë vështrim  rreth librit të Sadik Mehmetit  do të prezantojë në pika të shkurtra të katër kapituj dhe shtojcën që përmban libri ”Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912”. Autori i librit e ka përfshirë periudhën kohore prej vitit 1830, si vit që shënon fillimin e rilindjes kombëtare shqiptare, e gjer në vitin 1912, vit që shënon largimin e Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare. Është me rëndësi të ceket se me shpalljen e Tanzimatit në vitin 1839 nisën reformat gjithëpërfshirëse në Perandorinë Osmane, të cilët medoemos përfshinë edhe fushën e arsimit i cili me këto reforma, shënoi një përparim të hovshëm gjatë gjithë Perandorisë Osmane, e me theks të posaçëm në trojet shqiptare, e sidomos në Vilajetin e Kosovës në të cilin hynte edhe shteti i tanishëm i Kosovës.

Miratimi i Rregullores së Arsimit të Përgjithshëm në vitin 1869 shënoi një epokë të re nga transformimi i arsimit të gjeratëhershëm klasik, privat fetar, drejt arsimimit publik, shtetëror të nivelit qendror, me ç’rast filloi hapja e shumë shkollave publike anembanë Perandorisë Osmane, duke nisur nga shkollat fillore, shkolla të mesme të ultë,  shkolla të mesme të lartë , shkolla të larta pedagogjike, fakultete , e gjer tek hapja e Universitetit të Stambollit në vitin 1871, rektor i parë i të cilit ishte studiuesi dhe pedagogu  ynë shqiptar,  hoxhë Hasan Tahsini.

Në kapitullin e parë, autori i librit Sadik Mehmeti, jep një përshkrim të shkurtër të rrethanave politike shoqërore që kanë qenë në Kosovë gjatë viteve 1830-1912, duke filluar nga “organizimi administrativ, organet administrative, popullsia,  gjendja politike, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja Besa-Besë e Pejës, Kuvendi i Ferizajt, Lëvizja e Xhonturqve, Kongresi i Manastirit e gjer tek Kryengritja e Kosovës  e vitit 1910”.

Në kapitullin e dytë, autori i librit Sadik Mehmeti, jep një përshkrim të gjerë dhe të hollësishëm të shkollave myslimane ekzistuese në Kosovë gjatë periudhës kohore 1830-1912, duke filluar që nga shkollat fillore, shkolla të mesme të ulëta, shkollat e mesme të larta  dhe shkollat e larta pedagogjike.

Këtu dua të theksojë, se gjatë Perandorisë Osmane, nuk kemi pas ndarje në baza kombëtare, të gjithë kanë qenë shtetas osman, dhe se regjistrimet dhe ndarjet janë bërë në baza fetare(konfesionale), në atë myslimane, ortodokse, katolike dhe hebrenje, në bazë të të cilëve është zhvilluar edhe arsimi sipas këtij parimi. Ashtu që në shkollat myslimane mësimin e kanë ndjekur nxënësit të përkatësisë fetare myslimane, në shkollat ortodokse nxënësit të përkatësisë fetare ortodokse, dhe në shkollat katolike, nxënësit të përkatësisë fetare katolike.

Do të theksoja se ndjekja, mbajtja dhe zhvillimi  i arsimit gjatë gjithë periudhës së ekzistimit të Perandorisë Osmane ka qenë në nivelin dhe trajtim të barabartë, pasi që po ata shkollat ekzistuese kanë qenë të njëjta, si në Anadoll ashtu edhe në Ballkan. Që nga krijimi i Perandorisë Osmane(1299) e gjer në vitin 1850, respektivisht pas shpalljes së Tanzimatit në vitin 1839, kanë qenë shkollat e njëjta ekzistuese përgjatë tërë Perandorisë Osmane, të ashtuquajtura mektebet(shkollat fillore) dhe medresetë( shkolla të mesme). Këto shkolla kryesisht kanë qenë private, të themeluara nga vakëfet(fondacionet) e njerëzve të pasur dhe të shquar, pa një hierarki organizative qendrore shtetërore, në të cilin mësoheshin kryesisht  lëndët fetare, leximi i Kur’anit, bukurshkrimi, këndimi i poezive dhe ilahive, dhe aty këtu ndonjë lëndë shkencore, sikurse matematika, historia, gjeografia,etj.

Me hapjen e shkollave publike, të cilët ishin të centralizuara në nivel shtetëror, për dallim nga shkollat ekzistuese, mektebet dhe medresetë, mësoheshin lëndë të shumta shkencore, dhe më pak lëndë fetare. Mektebet kryesisht gjendeshin  pranë xhamive, në të cilin mësimi mbahej nga hoxha(imami) i xhamisë përkatëse, sikurse në qytete ashtu edhe në fshatra ku kishte xhami. “Me nxjerrjen e Rregullores së Arsimit të Përgjithshëm në vitin 1867 shkollat publike në Perandorinë Osmane ishin klasifikuar sipas kësaj ndarjeje: shkollat fillore(ibtidai mektebleri), shkolla të mesme të ulëta(rushdije), shkolla të mesme të larta(idadije), shkollat e larta pedagogjike(darulmualim) dhe shkollat më të larta(sulltanije)”.

Në Kosovë, pas reformimit të sistemit arsimor  osman në vitin 1687, krahas shkollave ekzistuese klasike të gjeratëhershme, janë hapur edhe shumë shkolla fillore publike(ibtidaije), si në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Pejë,  Mitrovicë, Vushtri etj. Sa për ilustrim të cek se vetëm me “rastin e kurorëzimit të sulltan Abdylhamidit të dytë u dha dekreti për hapjen e 511  shkollave në tërë Perandorinë Osmane, prej të cilave 162 shkolla ishin parapa të hapen në Vilajetin e Kosovës”.

“Krahas shkollave fillore(ibtidaije) nga viti 1855-56 në Kosovë filloi hapja e shkollave të mesme të ulëta(rushdije), ashtu që në Prishtinë u hap shkolla e rushdijesë në vitin 1869 nga Abdurrahman Pasha, djali i Jashar pashë Gjinollit, në Vushtri rushdija u hap në vitin 1875,  në Mitrovicë në vitin 1884-85,  në Pejë në vitin 1875, në Prizren në vitin 1855-56, në Gjakovë, në vitin 1864 apo 1875, në Gjilan në vitin 1880, dhe në Ferizaj në vitin 1911 në Ferizaj.

Përveç shkollave të mesme të ulëta(rushdije) janë hapur edhe shkolla të mesme të larta(idadije) apo gjimnaze klasike në Kosovë, por për dallim prej ryshdijeve, idadijet janë hapur vetëm në Prizren, Prishtinë dhe Pejë, në të cilin mësimi zhvillohej për 5 vite, ndërsa edhe dy vite tjera nxënësit vazhdonin mësimin në Shkup, Manastir apo Selanik. Shkolla idadije në Prishtinë u hap në vitin 1885, në Prizren në vitin 1903, ndërsa në Pejë idadija u hap në vitin 1908”.

Pas reformave të kryera në fushën e arsimit gjithandej Perandorisë Osmane, “në vitin 1848 u hap në Stamboll shkolla e lartë pedagogjike(darul mualim), që ishte instituti i parë arsimor në Perandorinë Osmane me detyrë të përgatiste mësuesit për të dhënë mësim, në shkolla fillore, të mesme të ulëta dhe të larta. Edhe në Kosovë u hapën këto shkolla, në Prishtinë në vitin 1880, në Shkup në vitin 1882, dhe dy dekada më vonë edhe në Prizren, në vitin 1901”.

Në kapitullin e tretë, autori i librit flet për “medresetë, shkollat e mesme fetare që e kishin zanafillën që nga themelimi i Perandorisë Osmane e gjer në vitin 1912. Medreseja më e vjetër  në trojet shqiptare ishte ajo e Is-hak beut në Shkup, e cila u hap në vitin 1411, pas kësaj  medreseja e Jusuf Qelebiut në Manastir në vitin 1434. Medreseja më e vjetër, apo e para në Kosovë, ishte hapur në Vushtrri në vitin 1444-1445 nga Gazi Ali beu, pastaj  ajo e Mehmet beut në Pejë në vitin 1516, medreseja e Gazi Mehmet Pashës në Prizren në vitin 1537, dhe medreseja e Besharet beut në Prishtinë në vitin 1566. Gjatë gjithë kohës së Perandorisë Osmane në Kosovë kanë qenë gjithsejtë 16 medrese ekzistuese. Në Prizren ishin katër medrese, ajo e Gazi Mehmet Pashës, Mahmut Pashës, Emin Pashës dhe medreseja e Javuz Mehmet efendiut(njihej edhe si e Sinan Pashës). Në Gjakovë ishin medreseja e Madhe  e themeluar nga Murat pasha, pinjoll i i derës së fisnike të Kryezinjve në vitin 1707, si  dhe medreseja e Vogël e hapur në vitin 1807. Në Prishtinë ishin dy medrese, ajo e Sulltan Selimit të tretë dhe medreseja e Pirinazit, në Vushtri ishin dy medrese, ajo e Gazi Ali beut dhe ajo e myderrizëve,  në Pejë poashtu ishin dy medrese, medreseja e vjetër(Atik) dhe medreseja e re(Xhedid), në Gjilan ishte një medrese, nga një medrese ka pas edhe në fshatin Dobërqan të Gjilanit dhe një në Bresanë të Opojës.

Krahas objekteve shkollore në Kosovë, gjatë Perandorisë Osmane ka pasur edhe  bibliotekat(kytyphanet) e shumta në qytete dhe fshatëra. “Ka pasur biblioteka private(personale), bibliotekat e xhamive, teqeve, mektebeve, medreseve dhe ato publike ose të vakëfeve. Biblioteka më e vjetër në Kosovë është themeluar nga poeti, imami, mësuesi, Suzi Çelebiu në vitin 1513 në Prizren.

Në kapitullin e katërt autori përshkruan shkollat katolike ekzistuese në Kosovë gjatë periudhës kohore 1830-1912. Gjer në vitin 1878 shkollat katolike kryesisht kanë qenë fetare, ndërsa pas reformimit të sistemit arsimor osman, këto shkolla katolike kanë marrë karakter të shkollave publike ku krahas lëndëve fetare janë mësuar edhe lëndët tjera shkencore.

“Shkolla private katolike e djemve në Prizren ishte shkolla fillore katolike më vjetër dhe më e njohur në Kosovë. Krahas kësaj ishte hapur edhe shkolla katolike e vajzave në Prizren më 1892. Poashtu edhe në Zym të Hasit u hap shkolla katolike në vitin 1880. Ka ekzistuar edhe në Gjakovë shkolla katolike që nga viti 1851, shkolla katolike në fshatin Stubëll, me disa data të hapjes së saj, 1846,1880, 1888, shkolla fillore katolike e Janjevës ishte hapur në vitin 1857, si dhe  në Pejë  ishte hapur shkolla fillore katolike .

Në kapitullin Shtojcë, autori përshkruan “ekspansionin serb arsimor në Kosovë në fund të shek. XIX dhe fillim të shek XX-të nëpërmes së cilës  Serbia nëpërmes ndihmës me dërgimin e mësuesve dhe mjeteve financiare ndihmonte në hapjen dhe zgjerimin e shkollave ortodokse në të cilin proklamohej ideja e zgjerimit territorial serb drejt Kosovës dhe Maqedonisë”. Për këto shkolla ortodokse serbe në Kosovë autori, nuk jep më shumë shënime, pasi që për këto ka materiale të gjera të shkruara nga vet autorët serb të fushës së arsimit. Pas kësaj autori në fund jep një përfundim në të cilin rekapitulon punën e tij hulumtuese dhe studiuese me theks të posaçëm siç e cek se ”shkollat  dhe arsimi në Kosovë përmbajnë të gjitha ato karakteristika që kishin shkollat dhe arsimi në rajonet e tjera të Perandorisë Osmane, porse kishte edhe karakteristikat dhe specifikat e tij të cilat ishin tipike për këtë trevë”.

Në përmbyllje të këtij vështrimi rreth librit”Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912”, e përgëzoj autorin e librit, Sadik Mehmetin, për  punën e tij  të shkëlqyer hulumtuese dhe studiuese në fushën e arsimit gjatë periudhës kohore 1830-1912, si dhe shpreh një mirënjohje të veçantë edhe për Institutin Albanologjik për botimin e këtij libri, libër  me vlerë të veçantë hulumtuese, studiuese dhe shkencore për fushën e arsimit në Kosovë, i cili mund të shërbej si burim shumë i rëndësishëm për vazhdimin e hulumtimit të fushës së arsimit sipas kategorive  shkollore, hulumtuesve dhe studiuesve të ardhshëm si në Kosovë ashtu edhe jashtë sajë.

 

      27.03.20212                                                              

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne