Po shkon drejt fundit rinumërimi i votave për Tiranën. Sot, në ditën e 9-të të procesit, në pallatin e sportit “Farie Hoti”, po bëhet rinumërimi i 69 kutive të mbetura. Janë hapur deri më tani 1138 kuti nga 1207 në total, të cilat nuk kanë treguar ndryshime në rezultat, por gabime të vogla që kanë sjellë pakënaqësi te kandidatët e këtij qarku.
Partitë kanë humbur vota që më herët ishin konsideruar të vlefshme nga komisionerët politikë. Me numrin më të lartë të votave të pamerituara kryeson PD, e cila humb 594 vota. PS ka 377 vota pa meritë, së cilës i zbriten gjithashtu nga numërimi fillestar. 57 vota pa meritë ka Lëvizja Bashkë, 45 Nisma Shqipëria Bëhet, 43 ka Partia Mundësia, 34 PSD. Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës merr 21 me rinumërimin, që i janë hequr nga procesi fillestar.
Edhe sa i përket kandidatëve, një pjesë e të cilëve nisën betejën ligjore për rinumërimin, rezulton se ka pasur devijime votash. Nga demokratët, kutitë e fundit të rihapura kanë nxjerrë në rend të parë me më shumë vota pa meritë Jorida Tabakun. Sipas të dhënave të KQZ, asaj i janë shtuar 256 vota pa meritë nga numërimi i 11 majit. Më pas vjen Ilir Alimehmeti, i cili kërkoi rinumërim, me 135 vota pa meritë, që do t’ju zbriten nga rezultati fillestar.
Dje u hapen edhe kutitë e Kavajës, aty ku pretendimet nuk ishin të kandidatëve të PD-së, më shumë sesa të Metës që nga burgu pretendoi se nuk mori vota aq sa mbështetje reale ka. Sipas tabelës së KQZ, pas rinumërimit Meta rezultoi me 61 vota të pamerituara. Edhe Myslim Murrizi rezulton se ka marrë 44 vota pa meritë. Sa i përket PS, i pari me më shumë vota të pamerituara ka rezultuar ministri Ervin Hoxha me 287 të tilla. Ndiqet nga Fatmir Xhafaj me 227 vota pa meritë, 125 Xhemal Qefalia, 164 rezulton se ka edhe Erion Braçe, i cili ka shprehur pakënaqësi për rinumërimin dhe KAS, duke e akuzuar këtë të fundit se i ka shpallur votat e pavlefshme. Olta Xhaçka ka 48 vota pa meritë, Blerina Gjylametit i shtohen 17 vota që ia kanë marrë më 11 maj, por sërish nuk mund ta përmbysë diferencën e ngushtë që ka me kolegen e saj socialiste.
Sakaq, rinumërimi pritet të përfundojë sot për Tiranën dhe më pas do të vijohet me qarkun e Fierit, dhe një pjesë të kutive të Durrësit, disa prej të cilave janë të diasporës./SHQIPTARJA